“Ulemi dhe diskutojmë…”/ Osmani: Synoj edhe një mandat të dytë si presidente

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se synon edhe një mandat në krye të shtetit, teksa asaj i skadon mandati si e para e vendit në prill të vitit 2026.
Osmani foli një ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, rezultatet preliminare të të cilave e nxorën fituese Lëvizjen Vetëvendosje me mbi 49% të votave.
Nëse partitë politike nuk arrijnë ndonjë kompromis për çështjen e presidentit të ri, atëherë vendi do të përballet me një cikël të ri zgjedhor.
Presidentja Osmani tha se pret formimin e institucioneve të reja, dhe se do të ketë bisedime me deputetë të pushtetit dhe të opozitës në lidhje me kandidaturën e saj.
Radio Evropa e Lirë: E thatë vetë, tash gjasat janë të mëdha që institucionet të zgjidhen dhe qeveria të bëhet. Pastaj Kosovën e pret një tjetër zgjedhje. Mandati juaj përfundon në prill. A synoni mandat të dytë?
Vjosa Osmani: Përgjatë këtyre pesë vjetëve kemi bërë maksimumin që të punojmë shumë për interesin e Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Kemi punuar që Kosova të mos konsiderohet thjesht si një shtet që ndjek zhvillimet, por si një prej faktorëve të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare që ka rol në përcaktimin e këtyre zhvillimeve. Përgjatë këtyre pesë vjetëve, Kosova është fuqizuar si shtet, brenda dhe jashtë. Brenda, në radhë të parë, për shkak se e ka shtrirë sovranitetin në çdo milimetër të territorit të vendit, kemi fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit që ka qenë një prej prioriteteve tona të përbashkëta që nga koha kur jam zgjedhur presidente në fillim të vitit 2021, dhe natyrshëm në arenën ndërkombëtare Kosova kurrë nuk ka qenë më e përfaqësuar dhe më e fortë, sado që kemi pasur sfida, por sfidat në radhë të parë kanë ardhur nga Serbia, e cila, siç e dini, ka eskaluar edhe me akt-agresionin ndaj Republikës së Kosovës, dhe me sulme ndaj infrastrukturës tonë kritike, dhe me një sërë aktesh destabilizuese.
Në rrethana të tilla, si institucione të Kosovës, kemi bërë të pamundurën dhe besoj kemi arritur që të mbrohet interesi i Republikës së Kosovës, që të mbrohet sovraniteti dhe integriteti territorial, që në asnjë moment të mos vihet në pikëpyetje sovraniteti ynë, shtetësia jonë, parimi i unitaritetit të shtetit, dhe njëkohësisht e kemi përfaqësuar Republikën e Kosovës denjësisht para syve të botës, duke ndërtuar një imazh të denjë, të tillë siç e meritojnë qytetarët tanë. Tani, unë mendoj që Kosovës i duhet një vazhdimësi e punëve të mira. Rrjedhimisht, kjo çështje tani do të jetë në duart e deputetëve të Republikës së Kosovës. Do ta shohim se kush do të jenë ata që do të zgjidhen.
Shpresoj në maturi, shpresoj në përgjegjshmëri, dhe shpresoj që kjo votë të jetë ndër vendimet e para të Kuvendit. Madje, do të propozoja që fare të mos bëjnë pauzë, të votohet Kuvendi, të votohet Qeveria paradite, dhe menjëherë pasdite të përfundojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Dhe, pastaj, ndoshta të nesërmen, ulemi dhe diskutojmë se si t’i arrijmë dy të tretat sa i përket mandatit të dytë, siç e përmenda, me shpresën që deputetët e Kuvendit të Kosovës, të të gjitha partive, do të dëshirojnë që ta vendosin para së gjithash vazhdimësinë e punëve të mira dhe interesin e Kosovës në njërën anë, dhe respektimin e vullnetit qytetar i cili besoj është i qartë për të gjithë”.