E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ulen aksidentet rrugore gjatë korrikut, por numri i të lënduarve mbetet i lartë

Shifrat e publikuara nga INSTAT tregojnë një rënie të ndjeshme të numrit të aksidenteve rrugore në korrik 2025, por vihet re një rritje të lehtë të numrit të personave të lënduar. Gjatë këtij muaji, janë regjistruar 131 aksidente, një rënie prej 10.3% krahasuar me korrikun e vitit 2024. Megjithatë, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) arriti në 194, një rritje prej 1.6% nga viti i kaluar.

Gjatë periudhës Janar-Korrik 2025, numri i aksidenteve rrugore ka shënuar një rënie të përgjithshme me 16.0% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Përqindja dërrmuese e aksidenteve, 89.3%, i atribuohet sjelljes së drejtuesit të mjetit, si mosrespektim i sinjalistikës, shpejtësia, apo frenimi i papritur.

Grupmosha e drejtuesve 25-34 vjeç është përgjegjëse për numrin më të lartë të aksidenteve, duke zënë 28.2% të totalit.

Numri më i madh i aksidenteve ka ndodhur gjatë ditës së Martë (19.8% e totalit), ndërsa ditët më të sigurta ishin të Premtet. Orari më i rrezikshëm për aksidente është ai i paradites, nga ora 08:00 deri në 12:00, duke zënë 28.2% të aksidenteve totale.

Vështrim i ndryshimeve sipas gjinisë dhe qarqeve

Të dhënat tregojnë se numri i meshkujve të aksidentuar është rritur me 10.6% në korrik 2025, ndërsa numri i femrave të aksidentuara ka rënë me 14.7% krahasuar me vitin e kaluar.

Sa i përket ndarjes gjeografike, shifrat paraprake tregojnë një rënie të theksuar të aksidenteve në qarkun e Durrësit, ndërsa qarqet e Lezhës dhe Shkodrës shënojnë rritje të numrit të aksidenteve gjatë periudhës Janar-Korrik 2025.

Vlen të theksohet se të dhënat për Durrësin dhe Tiranën janë të ndryshme kur shikohet periudha Janar-Korrik 2025 (me ulje të ndjeshme) dhe muaji i Korrikut 2025. Për muajin korrik, Tirana shënon rritje të aksidenteve, ndërsa Durrësi rënie.

Këto shifra janë paraprake dhe mund të përditësohen, por ato ofrojnë një pasqyrë të qartë të trendit të sigurisë rrugore në vend, duke theksuar nevojën për ndërgjegjësim të vazhdueshëm, sidomos tek drejtuesit e mjetit të moshës së re.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›