E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Uragani” blu i demokratëve i hoqi Kongresin, Trump me plan emergjence për dy vitet e ardhshme! Pse tani e quajnë “

Tsunami demokrat i hoqi kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit: Tani, me humbjen e thellë të zgjedhjeve të mesmandatit, Donald Trumpin e presin dy vite të vështira.

Presidenti amerikan përballet me një dobësim të ndjeshëm politik, por ai sipas Reuters, e ka një plan emergjence, i cili synon që humbja të mos i paralizojë republikanit presidencën. Bëhet fjalë për një strategji të përgatitur paraprakisht nga bashkëpunëtorët e tij. Qëllimi është që ai të vazhdojë të qeverisë gjatë dy viteve të mbetura të mandatit, edhe pa mbështetjen e shumicës në Kongres.

Plani ka pesë pika kryesore, që nisin me vendosjen e tarifave të reja, veçanërisht për tokat e rralla dhe turbinat e erës. Në politikën e jashtme, synon ruajtjen e iniciativës në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në çështjet ushtarake. Nuk ka hapa pas për emigracionin; duket se ashpërsimi i politikave të vizave të punës dhe studimit, si dhe të masave migratore, do të vazhdojë.

Në ekonomi pritet ndërhyrje në industri dhe në marrëdhëniet tregtare, ndërsa parashikohet po kështu një riorganizim i agjencive federale. Ideja është që kreu i shtetit të qeverisë sa më shumë me vendime presidenciale, pa pasur nevojë për miratimin e Kongresit, duke përdorur kompetencat ekzekutive dhe fondet që janë miratuar më parë.

Sipas raportimit të Reuters, Shtëpia e Bardhë ka përgatitur gjithashtu mënyra për të mbrojtur këto vendime nga sfidat ligjore dhe hetimet e mundshme të demokratëve.

Këta të fundit ndërkohë pritet të nisin hetime parlamentare lidhur me pasurimin e Trumpit dhe familjes së tij, deportimet masive të emigrantëve, si dhe për abuzimet e dyshuara të zyrtarëve të administratës, veçanërisht të kreut të Pentagonit, Pete Hegseth. Përplasjet mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit rrezikojnë të sjellin një ngërç politik.

Trump, edhe pse po cilësohet si një “rosë e çalë”, term që përshkruan një president që vazhdon të jetë në detyrë, por ka humbur një pjesë të rëndësishme të ndikimit politik, sërish mund të përdorë veton e tij për të bllokuar nismat e demokratëve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›