Urgjenca e Spitalit Rajonal Durrës, Koçiu: Deri 300 vizita e konsulta mjekësore në ditë

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Spitalet Rajonale dhe qendrat shëndetësore verore të hapura në zonat turistike ofrojnë shërbim dhe kujdes shëndetësor për qytetarët dhe turistët në të gjithë vendin.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh sot se “Spitali Rajonal i Durrësit dhe qendrat shëndetësore verore përgjatë vijës bregdetare po ofrojnë shërbim të pandërprerë për qytetarët dhe mijëra turistë që zgjedhin Durrësin në këtë sezon veror”.
Koçiu tha se “urgjenca spitalore 24/7, me ekipe të përforcuara dhe aparaturat bashkëkohore, përballon çdo ditë 270–300 vizita e konsulta mjekësore”.
“Nga traumat dhe urgjencat kardiake, tek incidentet e plazhit, personeli mjekësor është në gatishmëri pasi siguria shëndetësore mbetet prioriteti ynë”, u shpreh ministrja Koçiu në një postim në rrjetet sociale.
Një mjeke e Spitalit Rajonal të Durrësit, pohoi se fluksi i pacientëve ka filluar të shtohet që prej qershorit dhe nisjes së sezonit turistik.
“Numri i vizitave shkon në 270-300 në 24 orë dhe kryesisht janë moshat pediatrike, moshat mbi 60 vjeç që duhet të ruhen nga temperaturat e larta dhe ata që kanë sëmundje bashkëshoqëruese”, tha ajo.
Mjekja këshillon qytetarët dhe grupet e riskut që të ekspozohen në ambientet e jashtme nga ora 8-10:00 të mëngjesit dhe pas orës 18:00 të pasdites.
“Duhet të hidratoheni sa më shumë, të konsumoni lëngje, ushqime të sigurta, të eliminohen fast food-et, sepse mund të shkaktojnë më shumë intoksikime apo diarre”, vijoi ajo.
/e.i/r.e/