VARSHAVË – Polonia vendos kufizime të trafikut ajror përgjatë kufirit lindor

VARSHAVË, 11 shtator /ATSH-DPA/- Polonia ka vendosur kufizime të trafikut ajror përgjatë kufirit të saj lindor – pasi dhjetëra dronë rusë hynë në hapësirën ajrore polake, raportoi sot një zëdhënës të autoritetit të aviacionit.
Sipas tij, kufizimet do të mbeten në fuqi deri më 9 dhjetor përgjatë kufirit me Bjellorusinë dhe Ukrainën, duke mbuluar lartësi nga niveli i tokës deri në 3,000 metra.
I gjithë trafiku ajror është i ndaluar brenda kësaj zone nga perëndimi i diellit deri në lindjen e diellit, përveç avionëve ushtarakë.
Dronët civilë përballen me një ndalim fluturimi 24-orësh, ndërsa kufizimet gjatë ditës zbatohen për avionët civilë, të cilët duhet të jenë të pajisur me transponderë specifikë për të ruajtur komunikimin me kontrollin e trafikut ajror.
Varshava tha dje në mëngjes se 19 dronë kishin hyrë në hapësirën ajrore polake. Disa nga dronët u rrëzuan nga Forcat Ajrore Polake dhe aleatë të tjerë të NATO-s.
Kjo është hera e parë që dronët rusë rrëzohen mbi territorin e NATO-s dhe mund të nënkuptojë një pikë kthese të madhe në përgjigjen perëndimore ndaj kërcënimit që paraqet Moska.
“Nuk kishte plane për të shënjestruar infrastrukturën në Poloni”, tha Ministria Ruse e Mbrojtjes në Telegram. //a.i/