E Hënë, 2 Nëntor 2026

VARSHAVË – Tusk paralajmëron qytetarët kundër dezinformimit rus

VARSHAVË, 11 shtator /ATSH-DPA/ – Një ditë pasi disa dronë rusë shkelën hapësirën ajrore të Polonisë, kryeministri Donald Tusk u bëri sot thirrje qytetarëve të mos bien pre e fushatave të dezinformimit nga Moska dhe të mos i përhapin ato më tej.

“Përhapja e propagandës dhe dezinformimit rus në situatën aktuale është një veprim që dëmton drejtpërdrejt shtetin polak dhe sigurinë e atdheut dhe qytetarëve të tij”, shkroi Tusk në platformën X. “As mendjelehtësia dhe as bindjet politike nuk mund të shërbejnë si rrethana lehtësuese për këto veprime”, shtoi ai.

Edhe Ministria e Çështjeve Digjitale paralajmëroi për dezinformim në internet, duke publikuar një listë të versioneve të ngjarjes të shpërndara nga burime ruse dhe bjelloruse. Ato përfshijnë pretendimin se Ukraina po përpiqet ta tërheqë Poloninë, anëtare e BE-së dhe NATO-s, në luftë me Rusinë dhe se për këtë arsye dërgoi dronët në territorin fqinj.

Një tjetër pretendim, se Polonia është plotësisht e pafuqishme përballë dronëve rusë, u cilësua nga ministria si propagandë përhapëse paniku.

Tusk tha dje se të paktën 19 dronë kishin hyrë në hapësirën ajrore polake gjatë natës. Ky incident shënon herën e parë që dronë rusë rrëzohen mbi territorin e NATO-s dhe mund të përfaqësojë një pikë kthese për reagimin e aleancës ndaj kërcënimeve në rritje nga Moska.

Ministria ruse e Mbrojtjes mohoi çdo përgjegjësi, duke deklaruar në Telegram se “nuk ka pasur plane për të goditur infrastrukturën në Poloni.”

Ndërkohë, deri dje në mbrëmje, Ministria e Brendshme polake njoftoi se ishin gjetur mbetjet e 16 dronëve. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›