E Diel, 1 Nëntor 2026

VENEZUELË – Amnisti për të burgosurit politikë

BUENOS AIRES, 31 janar /ATSH-DPA/ – Qeveria e Venezuelës shpalli një amnisti gjithëpërfshirëse për të burgosurit politikë duke e paraqitur masën si një hap drejt pajtimit kombëtar pas viteve të përplasjeve politike.

“Ne kemi vendosur të ecim përpara me një ligj të përgjithshëm amnistie që mbulon të gjithë periudhën e dhunës politike nga viti 1999 deri në ditët e sotme”, deklaroi presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez.

Ajo shtoi se, si pjesë e këtij procesi, do të mbyllet edhe burgu famëkeq i shërbimit sekret, ”El Helicoide”, në Karakas, i njohur ndër vite si simbol i ndalimeve dhe persekutimit politik.

Që nga kapja e liderit venezuelian Nicolás Maduro nga Shtetet e Bashkuara më 3 janar, autoritetet në Karakas kanë liruar tashmë qindra të burgosur politikë, nën presionin e Uashingtonit.

Sipas Rodríguez, amnistia synon të ndihmojë në shërimin e plagëve të shkaktuara nga konfrontimet politike në vendin e Amerikës së Jugut dhe të krijojë kushte për stabilitet politik dhe shoqëror.

Në të njëjtën kohë, ambasada amerikane në Bogota, Kolumbi, e cila mbulon edhe Venezuelën, njoftoi se “të gjithë shtetasit amerikanë të njohur si të ndaluar në Venezuelë” janë liruar tashmë./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›