E Enjte, 5 Nëntor 2026

VIDEO- Nga “vëllai i madh” tek pretendimet për kërcënime në burg nga kryeministri, si ndryshuan raportet Rama-Veliaj që nga 2013! Deklaratat dhe ironitë ndër vite

Për vite me radhë, marrëdhënia mes Edi Rames dhe Erion Veliajt  është perceptuar si një raport i veçantë besimi, mbështetjeje dhe afërsie personale, ku Rama shihej si figura që i hapi rrugën politike Veliajt, ndërsa ky i fundit si një prej bashkëpunëtorëve më të rëndësishëm të kryeministrit.

Por ajo që dikur konsiderohej një aleancë e konsoliduar, sot po përballet me një krizë të thellë, pas pretendimeve të kryebashkiakut Erion Veliaj për kërcënime të Edi Ramës.

Veliaj iu bashkua Partisë Socialiste, u bë pjesë e strukturave drejtuese dhe më pas mori poste të rëndësishme në qeverisjen e Ramës.

Fillimisht si ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, e më pas si kandidat dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, ai u shndërrua në një prej figurave kryesore të mazhorancës.

Rrugëtimi i tyre i përbashkët politik nisi në vitin 2003 kur asokohe kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama akuzohej se qëndronte pas protestave të organizatës “MJAFT” të drejtuar nga Erion Veliaj kundër kryeministrit socialist Fatos Nano.

Madje për këto, Veliaj ka deklaruar keshtu: “Një ditë Edi Rama, mentori im më tha: Ti djalë do vazhdosh të protestosh apo do përfshihesh të bësh ca punë konkrete. Ai ishte mentori im”.

Lëvizja “G99” e Veliajt garoi si parti në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës ku u përball me një dështim spektakolar duke marrë vetëm 0.86% të votave në rang vendi. Kështu, formësimi i një projekti politik si ai i Veliajt që supozohej të ishte vetëm në rritje, e detyroi Ramën të merrte iniciativën direkte duke e emëruar si sekretar për rininë dhe emigracionin në PS dhe më pas duke e përfshirë në listat për deputet në 2013-ën. Nga aty, Veliaj u emërua si ministër deri në vitin 2015 kur mori drejtimin e bashkisë së Tiranës, gjë që e shfaqi në sytë e publikut dhe të të gjithë faktorëve politikë si “pasuesin e Edi Ramës” në krye të PS.

Që prej asaj kohe, pavarësisht pretendimeve nga ana e opozitës apo intrigave për ‘luftë të brendshme’, Veliaj dhe Rama tregonin se raportet mes tyre vetëm forcoheshin dhe rriteshin me vijimin e ecurisë së fitoreve të njëpasnjëshme të PS në zgjedhje.

Madje, duke iu përgjigjur edhe raportimeve të vazhdueshme nga opozita për krisje mes tij dhe Ramës, në vitin 2022 gjatë një interviste, Veliaj tha se opozita do të lutej në pafundësi për një gjë të tillë, por theksoi se kjo nuk do ndodhte kurrë.

“Kështu që ju kam thënë opozitës do t’i bëhen gjunjët kallo dhe do luten deri në pafundësi të jetës që unë edhe Edi Rama të kemi një konflikt edhe prej këtij konflikti të rikthehet Saliu me Ilirin. Kjo s’ka për të ndodhur kurrë”– shprehej Veliaj në 2022-in ndërsa në një tjetër intervistë të 2023 e cilësonte si “vëllain e tij të madh”.

Disa nga deklaratat e tyre

Erion Veliaj: “Jo vetëm kryetari i këshillit është një katundar nga Peza, Toni Gogu, por jam entuziast që për herë të parë kemi një përfaqësim…po jemi dy katundar…”

Erion Veliaj: “Një ditë Edi Rama, mentori im më tha: Ti djalë do vazhdosh të protestosh apo do përfshihesh të bësh ca punë konkrete. Ai ishte mentori im”

Erion Veliaj: “Ju kam thënë, opozitës do ti bëhen gjunjët me kallo dhe do të luten deri në pafundësi të jetës që unë dhe Rama të kemi një konflikt dhe nga ky konflikt të rikthehet Saliu me Ilirin. Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë”

Edi Rama: “Unë dal në 5:30 nga shtëpia për të shkuar në punë, ti do dalësh nesër në 4:30 do lyesh shkallët, ti personalisht”

Edi Rama: “Ju siguroj që ky grup armiqësor nuk e ka të gjatë, Erion  Veliaj mund të dalë në televizor sa të dojë, mund të mbjellë pemë sa të dojë, por një ditë në ato pemë do të varet, do të varet si shembull që në këtë parti grupet armiqësore do të marrin goditjen e duhur.

Transferimi nga burgu i Durresit ne ate te Fierit

Zhvillimi më i fundit që e ktheu konfliktin në një përplasje të hapur lidhet me transferimin e Erion Veliajt nga paraburgimi në Durrës drejt institucionit të vuajtjes së dënimit në Fier.

Pas këtij transferimi, Veliaj publikoi një letër të shkruar me dorë, përmes së cilës ngriti akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.

Sipas versionit të Veliajt, ministri Gogu e kishte vizituar në burg, në orët e vona të mbrëmjes së 30 tetorit 2026, dhe gjatë takimit i kishte përcjellë një mesazh në emër të kryeministrit.

Në letrën e tij, kryebashkiaku pretendon se i janë komunikuar tri kërkesa kryesore:

1-Të pranonte përfshirjen në organizimin ose financimin e protestave të njohura si protestat e “Flamingove” dhe studentëve, në të kundërt do të përballej me akuza të tjera dhe me një dënim që, sipas pretendimit të tij, mund të shkonte deri në 100 vite burg.

2-Të hiqte dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe t’ia delegonte kompetencat Arbër Hajdarit.

3-Të ndërpriste konsultimin dhe bashkëpunimin me avokatin e tij, Plarent Ndreca.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›