VIDEO/ Erëra deri në 202 km/h! Stuhia “Kristin” godet Portugalinë, 6 viktima

Stuhia e fuqishme Kristin ka shkaktuar pasoja tragjike në Portugali, duke lënë pas gjashtë viktima, dëme masive materiale dhe rreth 1 milion qytetarë pa energji elektrike. Me erëra që arritën shpejtësinë rekord prej 202 kilometra në orë, Kristin konsiderohet një nga fenomenet meteorologjike më të rënda që ka goditur vendin në dekadat e fundit.
Stuhia hyri në territorin portugez nga zona e Leirias të mërkurën dhe u përhap me shpejtësi drejt brendësisë së vendit, duke prekur rëndë tetë qarqe. Viktimat u raportuan në Leiria (tre persona), Marinha Grande, Silves dhe Vila Franca. Autoriteti Kombëtar i Emergjencave dhe Mbrojtjes Civile regjistroi mbi 5.400 incidente deri në orët e vona të mbrëmjes.
Pamjet nga zonat e goditura janë tronditëse: shtëpi dhe kisha pa çati, stadiume sportive të shkatërruara, avionë të dëmtuar, një rrotë panoramike e rrëzuar, linja hekurudhore të pezulluara dhe dhjetëra familje të mbetura pa strehë. Në disa zona, si Coimbra, Figueira da Foz, Mira dhe Cantanhede, u regjistruan erërat më të forta në historinë e Portugalisë, duke thyer rekordin e mëparshëm të vitit 2018 gjatë stuhisë Leslie.
Sipas ekspertëve të Institutit Portugez për Detin dhe Atmosferën (IPMA), Kristin ka arritur forcën e një uragani të kategorisë 2, madje në disa momente edhe të kategorisë 3 sipas shkallës Saffir-Simpson. Fenomeni është cilësuar si shumë i rrallë dhe i ngjashëm me një “bombë meteorologjike”, i shoqëruar nga i ashtuquajturi “sting jet”, një rrymë ajri jashtëzakonisht e fortë dhe shkatërruese.
Qarqet më të prekura janë Lisbona, Leiria, Coimbra, Castelo Branco, Portalegre, Santarém, Setúbal dhe Guarda. Në Leiria, kryetari i bashkisë Gonçalo Lopes e përshkroi situatën si post-apokaliptike, duke theksuar se rimëkëmbja mund të zgjasë deri në një vit.
Ai bëri thirrje për një reagim kombëtar dhe për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë.