E Diel, 1 Nëntor 2026

VIDEO/ “Luftë guerrile urbane”! Përleshjet në Torino, mbi 100 oficerë policie të plagosur

Të paktën dy persona u arrestuan dhe u dërguan në burg ditën e djeshme në Torino, pas përleshjeve të dhunshme që shpërthyen gjatë një demonstratë pro-Askatasuna.

Ndërkohë, rreth dhjetë persona të tjerë u shoqëruan në komisariat për t’u marrë në pyetje nga autoritetet, raporton agjencia italiane e lajmeve “Ansa“.

Sipas raportimeve zyrtare, mbi 100 forca të rendit mbetën të plagosura gjatë përplasjeve. Mes tyre janë 96 efektivë policie, 7 nga Guardia di Finanza dhe 5 karabinierë.

Ngjarjet janë cilësuar nga mediat italiane si “luftë guerrile urbane”, ndërsa reagimet politike kanë qenë të ashpra. Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella, ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Brendshëm, Matteo Piantedosi. Ky i fundit deklaroi se “e majta po mbron autorët e dhunës”.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm Antonio Tajani i dënoi ashpër incidentet, ndërsa Matteo Salvini i quajti protestuesit e dhunshëm “kriminelë”.

Kryeministrja Giorgia Meloni vizitoi mëngjesin e sotëm Spitalin “Le Molinette” në Torino, ku po trajtohet një oficer 29-vjeçar i njësisë mobile të Padovës, si dhe një tjetër punonjës i forcave të rendit. Vizita e saj zgjati rreth dhjetë minuta.

Në një postim në rrjetet sociale, Meloni bëri të ditur se ka thirrur një takim urgjent për mëngjesin e nesërm, për të diskutuar kërcënimet e fundit ndaj rendit publik dhe për të vlerësuar masa të reja sigurie.

“Do të bëjmë gjithçka është e nevojshme për të rivendosur rendin në këtë vend”, shkroi kryeministrja, duke shprehur solidaritetin e saj me oficerët e plagosur “në emër të gjithë Italisë”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›