E Diel, 1 Nëntor 2026

VILNIUS – Lituania shpall gjendje emergjence për balonat e kontrabandës nga Bjellorusia

VILNIUS, 9 dhjetor /ATSH-DPA/ – Lituania shpalli sot gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin për shkak të fluksit të madh të balonave të kontrabandës që vijnë nga Bjellorusia.

Qeveria e këtij vendi baltik, anëtar i BE-së dhe NATO-s, tha se masa ishte e nevojshme për shkak të rreziqeve për sigurinë kombëtare dhe aviacionin civil.

Rregullorja speciale u mundëson autoriteteve të reagojnë më shpejt dhe me më shumë kompetenca ndaj shkeljeve të hapësirës ajrore dhe ndërprerjeve të trafikut ajror të shkaktuara nga balonat.

“Në luftën kundër sulmit hibrid nga Bjellorusia, duhet të marrim masat më të rrepta dhe të mbrojmë zonat më të prekura. Të gjitha institucionet përkatëse po bashkohen për të shmangur kërcënimin nga balonat e kontrabandës”,  tha kryeministrja Inga Ruginiene.

Operacionet në aeroportet e vendit janë detyruar të ndërpriten përkohësisht disa herë në javët e fundit për shkak të balonave  që vijnë nga Bjellorusia.

Sipas shifrave zyrtare, aeroporti i Vilniusit ka qenë i detyruar të mbyllet përkohësisht për më shumë se 60 orë që nga muaji tetor, duke ndikuar mbi 350 fluturime dhe rreth 51 000 pasagjerë.

Balonat përdoren shpesh nga kontrabandistët për të sjellë në mënyrë të paligjshme cigare përtej kufirit nga vendi fqinj autoritar.  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›