VJENË – IAEA: Centrali bërthamor i Zaporizhias pa energji elektrike

VJENË, 4 korrik /ATSH-DPA/ – Furnizimi me energji i centralit bërthamor në rajonin juglindor të Zaporizhias në Ukrainë ka dështuar plotësisht, tha sot Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA).
”Furnizimi dështoi për herë të nëntë gjatë luftës në Ukrainë, por për herë të parë që nga fundi i vitit 2023”, sipas IAEA-së.
”Centrali aktualisht mbështetet në energji nga gjeneratorët e tij të emergjencës me naftë, duke nënvizuar situatën jashtëzakonisht të pasigurt të sigurisë bërthamore”, postoi IAEA në X, duke cituar kreun e saj, Rafael Grossi.
I vendosur në qytetin e Enerhodarit të mbajtur nga Rusia në bregun jugor të lumit Dnipro, centrali bërthamor është më i madhi në Evropë.
Sistemet e ftohjes së gjashtë reaktorëve të tij të mbyllur kërkojnë një furnizim të qëndrueshëm me energji për të shmangur shkeljen e normave të sigurisë.
Pala ukrainase ia atribuoi alarmin e fundit të sigurisë bombardimeve ruse.
IAEA ka luajtur një rol qendror në mbrojtjen dhe monitorimin e gjendjes dhe sigurisë së centraleve bërthamore të Ukrainës që nga pushtimi i plotë rus në vitin 2022.
Agjencia dërgon rregullisht ekipe ekspertësh në vendet e reaktorëve aktivë në rajonet perëndimore të Rivne dhe Khmelnytskyi dhe ka qenë e pranishme përgjithmonë në centralin e Zaporizhzhya që nga shtatori i vitit 2022.
Vendi ka qenë nën kontrollin rus që nga marsi i atij viti./ a.jor.