Valë kërcënimesh për bomba në 4 avionë në Evropë brenda pak orësh, ulje emergjente në 3 shtete

Katër kërcënime për vendosjen e bombave në avionë pasagjerësh janë regjistruar këtë të martë, më 3 nëntor, në disa vende të Europës, duke vënë në lëvizje autoritetet dhe shkaktuar ndryshime në itineraret e fluturimeve.
Incidentet janë shënuar në Poloni, Spanjë dhe Bullgari, ndërsa në shënjestër kanë qenë avionë që udhëtonin nga Londra, Kopenhaga, Mançesteri dhe Izraeli.
Sipas BBC, dy prej katër kërcënimeve kishin të bënin me fluturime drejt kryeqytetit polak, Varshavës.
Rasti i parë përfshinte një avion me 181 persona në bord, i cili ishte nisur nga aeroporti Heathrow i Londrës drejt aeroportit “Chopin” në Varshavë. Për shkak të kërcënimit, avioni u detyrua të kryente një ulje emergjente në aeroportin Varshavë-Modlin, ku më pas u kryen kontrolle nga specialistët.
Reklamë
Një tjetër avion, i nisur nga Kopenhaga dhe me destinacion po ashtu Varshavën, u përball me një kërcënim të ngjashëm. Megjithatë, sipas mediave daneze, fluturimi përfundoi normalisht dhe avioni u ul pa probleme në destinacion.
Ndërkohë, në Spanjë, një avion që udhëtonte nga Mançesteri, u detyrua të ulej në aeroportin e Murcias pas një kërcënimi për bombë.
Në bord ndodheshin gjithsej 121 persona, përfshirë edhe anëtarët e ekuipazhit.
Rasti i katërt u regjistrua në Bullgari, ku një avion që kryente një fluturim nga Izraeli u ul në Sofje pas një kërcënimi për bombë, i cili ishte dërguar përmes postës elektronike. Sipas mediave vendase, kërcënimi rezultoi të ishte një alarm i rremë.
Katër incidentet ndodhën vetëm një ditë pas një tjetër rasti të ngjashëm, kur një avion i nisur nga Luton i Londrës, u detyrua të ulej në Budapest të Hungarisë për shkak të një kërcënimi për bombë.
Avioni u shoqërua drejt kryeqytetit hungarez nga një avion luftarak i forcave ajrore të Hungarisë.