E Diel, 1 Nëntor 2026

Valsi i pankinave në Serie A! Napoli 200 mln euro për Conten, Juventus, Milan, Roma e Lazio në kërkim

Nga Ervin Sina 

Përfundimi i sezonit po shkakton një tërmet të fortë në lëvizjet e trajnerëve në serinë A.

Klubet e mëdha janë në ajër sa i takon teknikëve që do të drejtojnë stolet e këtyre ekipeve në sezonin e ri.

Napoli kampion Italie i freskët po provon të bindë Antonio Konten të qëndrojë në detyrë edhe për sezonin e ardhshëm.

Konte, një trajner, fitues kudo ku ka shkuar, ka një karakter të vështirë, aq më tepër që tek Napoli ka rastisur ta ndajë aventurën e  tij me një president gjithashtu jo të lehtë në marrëdhënie sikurse është De Laurentis.

Megjithëse Konte bëri një mrekulli në sezonin e parë tek Napoli, tekniku kishte pakënaqësi për faktin që nuk kishte pasur suportin e duhur të klubit sidomos sa i takon merkatos, duke nënkuptuar se pa mbështetje nuk do të vazhdonte më të ishte trajner i skuadrës axurre.

De Laurentis fillimisht mendoi për Maks Alegrin, por duket se tani ka bërë një hap pas dhe po provon të bindë Konten të qëndrojë duke i vendosur në pjatë si garanci për merkaton 200 milionë euro.

Vetëm kështu tekniku do të ndërtonte një skuadër ambicioze për të ruajtur kurorën e kampiones në Itali dhe për të provuar diçka të rëndësishme edhe në Evropë.

De Brojne me të cilin po bisedohet dhe David i Lilë janë në shënjester.

Mirëpo nga qëndrimi apo jo i Kontes tek Napoli do të varen edhe pankina të tjera, sikurse është rasti i Juventus që kërkon ta rikthejë në stol njërin që një dekadë më parë i dha tre kampionate në Itali.

Opsioni tjetër i fundit referuar mediave italiane për Juventusin është Gasperini që mesa duket nuk po e konsideron më qëndrimin tek Atalanta sikurse ishte menduar.

Gasperini gjithashtu është pjesë e ambicieve të Romës, megjithëse verdhekuqtë orët e fundit kanë shtuar presionin për spanjollin Sesk Fabregas që bëri një super sezon si trajner i Komos.

Milani gjithashtu e ka prioritet gjetjen e trajnerit.

Drejtori i sapo emëruar  Igli Tare ka disa opsione. Rikthimin e Maks Alegrit, Vincenso Italianon që është më i arritshëm, Tiago Motën apo Roberto Mancinin.  Edhe Lacio gjithashtu pret të bëjë rokadë në stol.

Presidenti Lotito Uk është i kënaqur me baronin dhe kërkon të bindë Sarrin të kthehet. Opsioni tjetër është Serxhio Konseisao, aktualisht tek Milan./vizionplus.tv

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›