E Diel, 1 Nëntor 2026

VanHorn takim me drejtorin e Doganave: Të forcojmë bashkëpunimin në luftën kundër trafiqeve të paligjshme

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi një takim me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e administrimit doganor.

Gjatë bisedës u diskutua mbi rritjen e sigurisë kufitare, luftën kundër trafiqeve të paligjshme si dhe përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit në vend.

Beja theksoi prioritetet e Doganës Shqiptare për transparencë, integritet dhe modernizim të shërbimeve, me qëllim lehtësimin e tregtisë së ligjshme dhe mbështetjen e sipërmarrjes.

Nga ana e saj, VanHorn vlerësoi rolin kyç të Doganës Shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe në rritjen e të ardhurave buxhetore. Ajo shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, përmes mbështetjes së iniciativave që forcojnë sigurinë dhe shkëmbimet tregtare.

Respektimi i standardeve ndërkombëtare dhe ofrimi i shërbimit cilësor ndaj qytetarëve dhe bizneseve mbeten në qendër të angazhimit të Doganës Shqiptare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›