E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vasili: Forcimi i qëndrueshmërisë financiare të RTSH, një nga objektivat kryesorë kyç

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, ka raportuar në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale gjatë shqyrtimit të projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Radiotelevizionit Shqiptar për vitin 2025”.

Gjatë fjalës së saj, Vasili theksoi se forcimi i qëndrueshmërisë financiare të institucionit mbetet një nga objektivat kryesorë të RTSH-së.

Ajo u shpreh se synimi është që RTSH të funksionojë sipas standardeve më të mira të qeverisjes së transmetuesve publikë europianë, duke theksuar se çdo reformë e suksesshme duhet të mbështetet në një bazë të qëndrueshme financiare.

“Një nga drejtimet kryesore të punës sonë do të jetë forcimi i qëndrueshmërisë financiare të institucionit, përmes planifikimit shumëvjeçar të investimeve, diversifikimit të të ardhurave brenda kufijve ligjorë dhe përdorimit më racional të fondeve publike,” u shpreh Vasili.

Ajo shtoi se RTSH është e angazhuar për të përmirësuar eficiencën dhe transparencën financiare, në funksion të modernizimit të institucionit dhe rritjes së cilësisë së shërbimit publik.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›