E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet projektrezoluta për veprimtarinë e RTSH-së në vitin 2025

Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale miratoi në mbledhjen e sotme projektrezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë së Radiotelevizionit Shqiptar për vitin 2025”, pas raportimit të Drejtoreshës së Përgjithshme të RTSH-së, Eni Vasili, dhe kreut të Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli.

Gjatë mbledhjes u shqyrtua ecuria e zbatimit të rekomandimeve të mëparshme dhe u përcaktuan prioritetet për vijimin e reformimit të transmetuesit publik. Katër rekomandimet kryesore të Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik për vitin 2025 kishin të bënin me hartimin e planit strategjik të RTSH-së, zhvillimin e kanalit RTSH Kuvend, realizimin e një auditimi të plotë financiar të institucionit dhe intensifikimin e procesit të digjitalizimit të arkivës.

Në projektrezolutën e miratuar, Komisioni rekomandon zhvillimin e mëtejshëm të burimeve njerëzore, rritjen e investimeve në prodhimin origjinal në gjuhën shqipe, si dhe digjitalizimin dhe aksesimin e arkivës së RTSH-së si një aset kombëtar për studiuesit, institucionet dhe publikun.

Po ashtu, Komisioni kërkon bashkëpunim me strukturat përgjegjëse të Kuvendit për zhvillimin dhe konsolidimin e metodologjisë së standardizimit të treguesve kyç të performancës, si bazë për monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të rezolutës dhe forcimin e llogaridhënies parlamentare. Ky proces duhet të përmbushet brenda tremujorit të tretë të vitit 2026.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›