Vau i Dejës gati për sezonin turistik veror, në fokus infrastruktura, pastrimi dhe promovimi

Me afrimin e sezonit veror, institucionet vendore në Vau të Dejës kanë ndërmarrë një sërë masash për të garantuar mbarëvajtjen e sezonit turistik. Sipas Drejtorisë së Turizmit, puna është përqendruar kryesisht në ndërhyrjet në infrastrukturë, sistemimin e hapësirave publike, si dhe në pastrimin e zonave me potencial turistik.
“Jemi marrë me përmirësimin e infrastrukturës, pastrimin dhe sistemimin e hapësirave publike, si dhe me vendosjen e sinjalistikës rrugore. Kemi organizuar një sërë aktivitetesh për promovimin e Bashkisë së Vaut të Dejës”, tha Samela Zagani, Drejtore e Turizmit, Bashkia Vau i Dejës.
Interesi për Vaun e Dejës ka qenë në rritje vitet e fundit. Vetëm gjatë vitit të kaluar, kjo zonë është vizituar nga rreth 200 mijë turistë, si vendas ashtu edhe të huaj, duke e kthyer në një nga pikat më tërheqëse të veriut të vendit.
Krahas resurseve të shumta që ofron zona, vëmendje të veçantë ka marrë edhe turizmi kulturor, falë aktiviteteve të shumta, i gërshetuar me gastronominë e pasur.
“Ndër destinacionet më të frekuentuara aktualisht janë Liqeni i Vaut të Dejës dhe Liqeni i Komanit, të cilët ofrojnë një natyrë të mrekullueshme. Gjithashtu, kemi Kalanë e Danjës, Kalanë e Vigut, Kishën e Shën Mërisë.. Po ashtu, kemi edhe Qytetin Antik të Bushatit, i cili së fundmi është shpallur zonë arkeologjike e kategorisë A”, tha ajo.
Autoritetet vendore mbeten optimiste se ky sezon veror do të shënojë një tjetër rritje të numrit të vizitorëve, ndërsa puna në terren vijon për të garantuar standarde sa më të mira për turistët që zgjedhin Vaun e Dejës.
/rtsh.al/