Vdes Kreshnik Tartari, volejbollist e trajner legjendar i “Dinamos” dhe i Kombëtares

TIRANË, 31 maj /ATSH/ Volejbolli shqiptar është në zi pas ndarjes nga jeta në moshën 83-vjeçare të Kreshnik Tartarit.
I lindur më 21 korrik 1943 në Tiranë, me 55 vite në volejboll dhe mbi 2000 ndeshje zyrtare, ai mbetet një prej figurave më emblematike të këtij sporti, duke lënë gjurmë të pashlyeshme si lojtar, trajner dhe drejtues sportiv.
Tartari ishte një nga personalitetet që kontribuoi më së shumti në ngritjen e volejbollit shqiptar në nivelet më të larta. Si volejbollist, ai shkëlqeu me fanellën e “Dinamos” dhe të ekipit kombëtar, duke fituar tituj të shumtë kampionë dhe kupa gjatë viteve të arta të këtij sporti.
Megjithatë, suksesi më i madh i Kreshnik Tartarit erdhi në rolin e trajnerit.
Ai konsiderohet një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e volejbollit shqiptar, duke ndërtuar dhe drejtuar breza të tërë sportistesh që dominuan sportin në vend dhe u bënë të njohura edhe në arenën ndërkombëtare.
Tartari ishte trajneri i brezit më të mirë të volejbollisteve shqiptare si Ela Tase, Mimoza Ibrahimi, Donika Muka, Eva Kalaja, Mira Dreni, Silva Turdiu, Lulzime Duka, Mira Podgorica, Jorgjeta Qirici, Agi Babuli, e tjera.
Nën drejtimin e tij, ekipi i femrave të Dinamos u shndërrua në një nga skuadrat më të suksesshme në historinë e sportit shqiptar. Gjithçka nisi në vitin 1974, kur formacioni i drejtuar prej tij nisi një dominim të jashtëzakonshëm, duke fituar 11 tituj kampionë radhazi dhe 20 në total. Kjo skuadër arriti gjithashtu rezultate historike në Evropë, duke siguruar pjesëmarrjen në Final Four.
Nga baza e kësaj skuadre të suksesshme, Tartari ndërtoi edhe ekipin kombëtar të vajzave, i cili në Lojërat Mesdhetare të vitit 1987 arriti një sukses të jashtëzakonshëm duke mposhtur Italinë, kampione të Evropës në atë kohë, dhe duke fituar titullin kampion të Lojërave Mesdhetare.
Në total Kreshnik Tartari regjistroi 27 kampionate të fituara me “Dinamon” si lojtar dhe trajner. 18 Kupa Republike dhe 17 pjesëmarrje në Kupat e Europës. Arritje e madhe dërgimi i Dinamos në vendin e tretë në Europë. “Mjeshtër i Madh i Sportit” për të cilin flet historia. Numëron mbi 50 trofe të fituar tek klubi “Dinamo” përfshirë edhe Spartakiada dhe turne të tjerë.
Për kontributin e tij të shquar në sport, Kreshnik Tartari u nderua me tituj dhe vlerësime të shumta, mes të cilave edhe “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Kombit”.
Sipas medieve, Kreshnik Tartari ka ndërruar jetë ditën e shtunë në San Marino.
Ndarja nga jeta e mjeshtrit Tartari është një humbje e madhe për sportin shqiptar. Ai do të kujtohet si një nga figurat që i dha lavdi volejbollit shqiptar dhe si një prej arkitektëve të sukseseve më të mëdha të këtij sporti në vend.