Egnatia shpallet kampione për të tretin vit radhazi

TIRANË, 31 maj /ATSH/ Egnatia u shpall sonte kampione e kategorisë Abissnet Superiore për të tretin vit radhazi.
Ndeshja e fundit e luajtur përballë Dinamo City-t në “Elbasan Arena”, u mbyll me fitoren e rrogozhinasve me rezultatin 2-0. Golat u shënuan që në pjesën e parë nga sulmuesi Albaneze, në minutën e 29-të me penallti dhe në të 39-ën, pas një gabimi nga lojtari dinamovit Malomo.
Ndeshja tjetër, ajo mes Vllaznisë dhe AF Elbasanit, e luajtur në stadiumin “Air Albania” në të njëjtën orë (19:00), në një duel direkt mes dy skuadrave pretendente për trofeun, përfundoi me rezultatin 1-2. Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola. Me fillimin e të dytës Vllaznia zhbllokoi rezultatin në minutën e 48-të me kapitenin Balaj, ndërsa 3 minuta më vonë verdheblutë barazuan me Lajthinë. Në minutën e 64-t Ibrahim Abas përmbys rezultatin, pas një kundërsulmi të shpejtë të elbasanasve.
Egnatia me këtë fitore u rendit e para me 37 pikë, po aq sa edhe verdheblutë, duke qenë se në ndeshjen direkte në Final 4 me AF Elbasanin kishte fituar 4-0. Vllaznia mbeti në kuotën e 31 pikëve, ndërsa Dinamo City me 27 pikë në vendin e katërt të renditjes përfundimtare.
Nevil Dede fiton kështu titullin e parë kampion si trajner, pak javë pasi mori drejtimin e Egnatias, duke rezultuar vendimtar, sidomos me tri fitoret e fazës Final 4 kundër pretendentëve direkt për titull.
Këto dy takime mbyllën edhe aktin final të fazës Final 4, të sezonit 2025-2026.
Me këtë sukses, Egnatia do të përfaqësojë Shqipërinë në turin e parë kualifikues të UEFA Champions League. Ndërkohë, AF Elbasani, Dinamo City dhe Vllaznia do ta nisin aventurën europiane nga raundi i parë kualifikues i UEFA Conference League.
Pas përfundimit të ndeshjes në “Elbasan Arena”, u zhvillua ceremonia zyrtare e dorëzimit të medaljeve dhe trofeut të kampionit. Të pranishëm në ceremoni ishin presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dhe sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku.
Presidenti Duka i dorëzoi medaljet dhe trofeun e kampionit skuadrës së Egnatias, e cila kurorëzoi një tjetër sezon të suksesshëm në futbollin shqiptar.
Egnatia - kampione 2025-2026 1 nga 3