E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj depoziton në GJKKO kërkesë për zëvendësim të masës së sigurisë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurisë të vendosur ndaj tij, çështje që do të shqyrtohet nga gjyqtarja Etleva Deda.

Gjykata Kushtetuese rrëzoi më 31 tetor vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkarkimin e Veliajt nga detyra.

Ndërkohë, SPAK ka ngritur ndaj Veliajt 13 akuza.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete “të cilat provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se i pandehuri Erion Veliaj, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve”.

Prokuroria rendit në kërkesën për gjykim 13 akuza ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës: 9 raste të korrupsionit pasiv, si dhe akuzat për “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” në bashkëpunim, “fshehje pasurie” dhe “shpërdorim të detyrës”. Veliaj akuzohet gjithashtu se gjatë qëndrimit në qeli ka shkelur disa herë ligjin dhe se ka konsumuar elementët e veprës penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, më shumë se një herë.

Edhe bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion në të njëjtat raste ku përfshihet Veliaj, si dhe për pastrim parash, fshehje të të ardhurave dhe mosdeklarim të aseteve. Prokuroria ka evidentuar blerje online të kryera prej saj në një vlerë prej 86.7 milionë lekësh, si dhe përdorim të shumave të mëdha cash jashtë sistemit bankar për pagesa qirash, pagash dhe aktivitete private.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›