Veliaj paraqitet në Gjykatën Administrative, dorëzon vendimin e Kushtetueses

Erion Veliaj është paraqitur këtë të premte në Gjykata Administrative, i shoqëruar nga efektivë të Policisë së Burgjeve, ku pritet të zhvillohet seanca lidhur me padinë e tij për shfuqizimin e dekretit të emërimit të prokurorit Ols Dado.
Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit të vitit të kaluar, është rikthyer në institucionin e vuajtjes së dënimit në Durrës pasi kishte përfituar një leje 48-orëshe për arsye familjare.
Gjatë seancës, ai i është drejtuar trupit gjykues duke vënë në dispozicion vendimin e fundit të Gjykata Kushtetuese, të cilin e konsideron një zhvillim me rëndësi të drejtpërdrejtë për çështjen administrative.
Sipas Veliajt, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka konstatuar se Gjykata e Lartë nuk ka arsyetuar në mënyrë kushtetuese proporcionalitetin e masës së paraburgimit në raport me mandatin e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, si dhe nuk ka trajtuar në mënyrë të plotë pretendimet për cenimin e dinjitetit të tij nga mbajtja në kabinën e xhamit gjatë seancave gjyqësore.
Në deklaratën e tij, Veliaj theksoi se ndodhet prej 16 muajsh në paraburgim dhe argumentoi se vetë Gjykata Kushtetuese ka evidentuar, sipas tij, mangësi serioze kushtetuese në mënyrën se si është justifikuar kufizimi i lirisë së tij.
Ai shtoi se procesi administrativ nuk lidhet vetëm me çështjen personale apo me figurën e prokurorit Ols Dado, por, sipas tij, ngre një debat mbi ligjshmërinë e ushtrimit të kompetencave nga një zyrtar, emërimi i të cilit kundërshtohet në gjykatë.
Veliaj deklaroi se çështja prek besimin te shteti i së drejtës dhe demokracia kushtetuese, ndaj kërkoi që vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese të merret në konsideratë gjatë shqyrtimit të padisë.