E Hënë, 2 Nëntor 2026

Veliaj pret sekretarin e “PostEurope”, Asambleja e Përgjithshme do të mbahet në Tiranë në tetor

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të PostEurop, me të cilin diskutoi mbi zhvillimin e shërbimeve postare dhe përgatitjet për Asamblenë e Përgjithshme të PostEurop, e cila do të mbahet në tetor në Tiranë.

“Jemi vërtet të nderuar sepse asambleja juaj e përgjithshme do të jetë këtë tetor në Tiranë dhe jam krenar që keni zgjedhur qytetin tonë. Posta Shqiptare, gjithashtu edhe Posta Europiane, ka rishpikur veten me kolipostën, me dërgesat, po e shikojmë me procesin tonë zgjedhor, ku diaspora do të votojë me postë. Posta ka një pafundësi shërbimesh që mund të ofrojë. Sot po shikojmë se si me postën mund të shpërndajmë edhe abonenë e autobusit, që të jetë sa më e thjeshtë për të moshuarit, gjyshërit dhe gjyshet”, tha Veliaj.

Nga ana e tij, sekretari shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Postës Shqiptare dhe Bashkisë së Tiranës, ndërsa nënvizoi se ky takim dhe asambleja do të forcojnë bashkëpunimin mes PostEurop dhe autoriteteve shqiptare.

“Jemi mirënjohës për mbështetjen e Postës Shqiptare, por njëkohësisht edhe për mbështetjen e madhe që Bashkia e Tiranës ka dhënë për këtë ngjarje. Komuniteti evropian do të mblidhet këtu në Tiranë, dhe ne do të dëshironim të kontribonim në atmosferën e shkëlqyer të Tiranës, e cila sapo mësova, është e lidhur me të gjitha ngjarjet që keni organizuar në të kaluarën dhe ato që keni në plan të organizoni edhe në vitin 2025 përmes një ngjarje të suksesshme të industrisë postare”, tha sekretari.

Veliaj shtoi se Tirana është gati të presë ngjarje të rëndësishme, si Giro d’Italia. /vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›