Velipojë, shkeli perimetrin e sigurisë me Jet Ski, gjobitet me 100.000 lekë drejtuesi i mjetit

Policia Kufitare ka ndërhyrë në vijën bregdetare të Velipojës për të shmangur një rrezik të mundshëm për pushuesit, duke bllokuar një mjet lundrues dhe duke proceduar drejtuesit e tij. Ngjarja vjen në një kohë kur autoritetet kanë rritur monitorimin përgjatë plazheve për të garantuar sigurinë e jetës së qytetarëve.
Gjatë patrullimit, efektivët e policisë janë vënë në dijeni nga pushuesit në plazh, të cilët kanë vënë re lëvizje të rrezikshme pranë bregut nga një mjet i shpejtë ujor.
“Një mjet lundrues tip Jet Ski kishte hyrë në afërsi të bregut në zonën e Velipojës, duke rrezikuar sigurinë e personave që bënin plazh,”, bëhet me dije nga njoftimi i policisë.
Menjëherë pas këtij njoftimi, forcat policore detare kanë ndërhyrë duke bllokuar mjetin lundrues tip Jet Ski, i cili drejtohej nga shtetasi me iniciale R. Gj., dhe duke e shoqëruar këtë të fundit për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.
Gjobë e rëndë për shkeljen e rregullave
Përveç bllokimit të menjëhershëm të mjetit ujor, ndaj drejtuesit janë aplikuar sanksione të ashpra financiare, të cilat parashikohen nga kuadri ligjor në fuqi për sigurinë në plazhe.
“Në përfundim të procedurave administrative, drejtuesi i mjetit lundrues do të ndëshkohet me masë administrative me vlerë 100.000 lekë të rinj,”, specifikon njoftimi zyrtar.
Në përmbyllje, Policia e Shtetit ka përsëritur apelin e saj drejtuar të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të respektojnë me rigorozitet rregullat e lundrimit dhe perimetrin e sigurisë për pushuesit, duke paralajmëruar se nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj shkeljeve që rrezikojnë jetën e qytetarëve në zonat e përcaktuara për plazh.
/rtsh.al/