E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vëllai i Nallbatit lirohet nga burgu, deputeti demokrat i përgjigjet Ramës që e quajti “rrugaç”: Më 11 maj do ta marrësh përgjigjen nga shqiptarët

Gjykata e Korçës ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Altin Nallbatin, vëllain e deputetit Bledjon Nallbati lidhur me ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në kryqëzimin e qytetit të Bilishtit, ku Altin Nallbati ka goditur një drejtues mjeti të tonazhit të rëndë

Sipas avokatit, Nevzat Tarelli ka qenë vet prokuroria e Korçës që ka kërkuar detyrim paraqitje për vëllain e deputetit, kërkesë e cila është marrë parasysh nga gjykata e Korçës

“Gjykata e ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, një herë në muaj”, tha avokati.

Deputeti Bledion Nallbati ka akuzuar drejtorin e policisë së Korçës dhe drejtues politik te qarkut të Korçës të PS Niko Peleshi se kanë ndërhyrë në këtë ngjarje, që ka çuar e ne arrestimin e vëllait.

“Prokurorja, ish-vartësja e Niko Peleshit, personi i cili u mor personalisht me inskenimin edhe falsifikimin e kësaj akuze që nuk qëndron. Më vjen keq që gjyqtarja u bë pjesë e kësaj maskarade politike, kuptohet pse. E dëgjuat kryeministrin Rama në Devoll. Erdhi t’i kërkonte votën devollinjve, foli një orë dhe nuk tha asgjë se çfarë ka bërë dhe çfarë do bëjë për devollinjtë, por u mor vetëm me këtë rast. Kjo u inskenua që Rama të shmangte përgjegjësinë e tij për keqqeverisjen 12-vjeçare dhe të merrej me një tallava të tillë”, tha Nallbati në një deklaratë për mediet pas vendimit.

Nallbati gjithashtu iu përgjigj kryeministrit Edi Rama, i cili ditën e djeshme gjatë një takimi me banorët e Devollit e quajti rrugaç.

Nallbati: Nuk më tremb dot me këto lloj inskenimesh. Pas datës 11 maj mund të shërbesh vetëm për një punë, të trembësh gallofët nëpër ara, por as këtë s’do kesh mundësi ta bësh sepse do jesh në burg. Do ta marrësh përgjigjen nga shqiptarët. Erdhe në Devoll dhe the “vëllai i Bledion Nallbatit gjysmë metra i gjatë është kapo”. Ai nuk është kapo, është kapedan sepse pret e përcjell çdo njeri në Devoll dhe ndihmon kë të mundet.

Gjykata e Korçës e ka cilësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›