E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi I GJKKO/ Këshilli i Ministrave: Cenon kompetencat e pushtetit ekzekutiv. Kuvendi: S’ka precedent të SPAK për kërkesa pezullimi ndaj ministrave

Gjatë seancës së Gjykatës Kushtetuese, përfaqësuesi i Këshillit të Ministrave u pyet mbi argumentin se vendimi i GJKKO-së për pezullimin e zv/kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, përbën një cenim të kompetencave të pushtetit ekzekutiv.

Ai deklaroi se pezullimi prek drejtpërdrejt funksionimin e Këshillit të Ministrave dhe të Kryeministrit, duke kufizuar aftësinë e ministrit për të propozuar akte brenda fushës së përgjegjësisë së tij. Ministri, sipas tij, propozon akte që lidhen me integrimin evropian dhe planet analitike të Këshillit të Ministrave.

Përfaqësuesi theksoi se mosfunksionimi i një pjese të Këshillit të Ministrave përbën një cenim të kompetencave kushtetuese të tij, dhe se e drejta për të ankuar mbi këtë cenim ushtrohet vetëm përpara Gjykatës Kushtetuese. Ai sqaroi se nuk është Kryeministri ai që përcakton se cilët ministra propozojnë aktet, por vetë Këshilli i Ministrave, ndërsa Kryeministri mund të propozojë vetëm aktet që nuk i përkasin asnjë ministrie dhe që i përcakton shprehimisht ligji.

“Ne kemi ardhur përpara Gjykatës Kushtetuese për shkak të një cenimi të drejtpërdrejtë të kompetencave të pushtetit ekzekutiv. Një pjesë e funksionimit të aparatit të Këshillit të Ministrave është ndalur për shkak të kësaj mase sigurie”, tha përfaqësuesi. Ai shtoi se kufizimet e vendosura nga masa e sigurimit penal kanë pasoja të drejtpërdrejta në veprimtarinë e Këshillit dhe se këto duhet të shqyrtohen në kontekstin kushtetues.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Kuvendit deklaroi se vendimi i GJKKO-së për pezullimin e një funksionari cenon kompetencat e Këshillit të Ministrave. Ajo shtoi se, sipas dispozitave kushtetuese që rregullojnë procedurën e emërimit dhe shkarkimit të ministrave, pezullimi i një ministri çon në pamundësinë për të zbatuar në praktikë një akt të miratuar nga Kuvendi, i cili mbetet formal, por jo substancial.

Përfaqësuesja u pyet gjithashtu nëse SPAK ka pasur raste kur i është drejtuar Kuvendit me kërkesë për autorizim për masën ndaluese apo pezullimin nga funksioni i një ministri. Ajo sqaroi se nuk ka raste të tilla, pasi gjykata e posaçme ka një ndalim kushtetues për kërkesa të ngjashme që lidhen me deputetët e Kuvendit. “Nuk kemi raste që ti jenë drejtuar me kërkesë të pezullimit, sepse gjykata e posaçme ka ndalim kushtetues për një kërkesë të tillë për deputetin e Kuvendit. Natyrisht ai e ka ndalim mbi bazë kushtetuese”, shtoi ajo.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›