E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i Hagës ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, qytetarët në Prishtinë në protestë: Nuk do ndalemi

Qytetarët e Kosovës janë mbledhur sërish sonte në sheshin “Skënderbej” në Prishtinë duke protestuar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta mbahet nën sloganin “Jo në emrin tim”, ndërsa qytetarët po shprehin kundërshtimin e tyre ndaj vendimeve të gjykatës.

“Ky është shteti që ndërtuan ata të katër. Jemi këtu për ta ngritur zërin me dinjitet. Do të ngrihemi çdo ditë e natë kundër vendimeve. Nuk do të ndalemi deri në fund”, shprehet një prej protestuesve.

“Historia jonë nuk mund të shkruhet pa ne. UÇK-ja ka nevojë për ne”, shprehet një tjetër qytetar.

Protestat në Prishtinë kanë nisur një ditë më parë, menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit në Hagë. Gjatë ditës së djeshme, protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas një pjesë e tyre u drejtua para objektit të Qeverisë dhe selisë së EULEX-it.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vjet burgim, ndërsa ish-kryeparlamentari dhe zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, është dënuar gjithashtu me 25 vjet burgim. Kadri Veseli është dënuar me 18 vjet burgim, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›