Vendimi i Kushtetueses, Berisha: I turpshëm, e çojmë në Strasburg

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i turpshëm.
Berisha, në fjalën e tij gjatë tubimit të përnatshëm pranë banesës së tij, ku është nën masën e sigurisë “Arrest Shtëpie”, tha se çështja do të dërgohet në Strasburg.
“Të dashur miq, para se të vinit këtu, kryetarja e Gjykatës Antikushtetuese doli në konferencë shtypi dhe informoi një vendim të turpshëm, një vendim që dëshmon shkallën më të ulët të gjykimit dhe të përgjegjësisë. Një vendim që është i barabartë me një të një gjykatë fakti.
Një vendim që Gjykatën Kushtetuese e shpall jokushtetuese, antikushtetuese. Edhe njëherë miq, ndjehem krenar që mbrojta Kushtetutën, qëndrova kundër puçit që i bëri parlamentit një grusht horrash në organizatën kriminale të Skapit të partisë dhe gjykatësja me 5 mbiemra”, – tha Berisha.
“Gjykata Kushtetuese, në një vendim të turpshëm, quan joproporcional, nuk bën fjalë se i merret pushteti parlamentit me vendimin ekstrakushtetues, ekstraligjor. Një kapitull tjetër i turpit, i paralajmëruar 10 ditë më parë nga Ulsi Manja me dokumente se Rama na njoftoi për vendimin që do merrej”, – tha Berisha.
Berisha më tej theksoi se “çështja do të shkojë në Strasburg, aty ku nuk sillen si zuzarë me ligjet. Sigurisht miqtë e mi, çështja është në Strasburg, por është e turpshme të dërgohet një vendim i tillë.
Por në narkoshtet, siç e cilësoi rezoluta e 109 partive politike, nuk ka ligj, nuk ka Kushtetutë.
Është radha jonë. Me vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese damkosi në mënyrë të përsëritur veten e vet. Njerëz pa karakter, pa moral ligjor, mercenarë. Por të gjitha këto do shkojnë në Strasburg, në gjyqin e Europës, në gjykatën që mbron konventën evropiane të të drejtave të njeriut.
Dhe ata nuk shkruajnë siç bëjnë këta këtu, që sillen si zuzarë ndaj Kushtetutës, ndaj ligjeve”,- përfundoi Berisha.
/a.f/