E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i Kushtetueses për Ballukun publikohet në Fletoren Zyrtare

TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ Vendimi i Mbledhjes së Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të masës “pezullim nga detyra” ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u publikua sot në Fletoren Zyrtare.

Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, vendosi pezullimin e ekzekutimit të dy vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë të 22 nëntorit, të cilat kishin caktuar dhe vazhduar masën ndaluese ndaj ministres Balluku.

Në arsyetimin e saj, Gjykata çmoi se zbatimi i vendimeve të GJKKO-së rrezikonte të prekte interesa shtetërore, duke ndikuar në ushtrimin e kompetencave të pushtetit ekzekutiv dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave.

Vendimi u mor në bazë të nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese dhe nenit 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore.

Ndërkohë, tre gjyqtarë, Marsida Xhaferllari, Ilir Toska dhe Asim Vokshi, paraqitën mendim pakice, duke argumentuar se nuk plotësoheshin kushtet ligjore për pezullim dhe se ndërhyrja në vendimet e shkallës së parë cënonte pavarësinë e gjyqësorit dhe procesin e rregullt të ankimit. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›