E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi për “TikTok”, reagon familja Cani: Tragjedia e Martinit u përdor për censurë

Familja e Martin Canit, 14-vjeçarit i cili u vra më 18 nëntor 2024 pas një përleshjeje në shkollë, ka reaguar nëpërmjet një deklarate pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shpalli antikushtetues mbylljen e rrjetit social TikTok.

Familja Cani ka përsëritur dhe një herë thirrje se djali i tyre nuk u vra nga TikTok që të kërkohet mbyllja e tij, veprim të cilin familja e Martinit e cilëson si një censurë dhe pretekst.

Në fund të deklaratës ata theksojnë se nuk do të heshtin duke kërkuar drejtësi për Martinin.

Deklarata e plotë:

Familja e Martin Canit mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese që shpalli sot antikushtetues mbylljen e rrjetit social TikTok, duke konfirmuar zyrtarisht atë që ne kemi bërtitur me dhimbje që nga dita e parë: Martini nuk u vra nga TikTok!

Ky vendim demaskon hipokrizinë e një qeverie që, në vend që të mbante përgjegjësi për dështimet e saj, zgjodhi të përdorte gjakun e djalit tonë si pretekst për censurë dhe manovra politike. Ndërsa shteti merrej me mbylljen e aplikacioneve, dështimi i tij sistematik vazhdoi të prodhonte viktima: fillimisht një i mitur në Maliq  dhe së fundmi një tjetër jetë e këputur në Durrës.

Të vërtetat ulëritëse që po vrasin fëmijët tanë janë:

Sistemi Arsimor i Falimentuar: Martini u vra nga një thikë e një bashkëmoshatari në një mjedis ku siguria në shkolla nuk ekziston dhe institucionet nuk marrin asnjë masë parandaluese.

Papërgjegjshmëria e Shkollës: Djali ynë u vra sepse shkolla nuk njoftoi prindërit për incidentet e mëparshme, duke na hequr mundësinë për të parandaluar tragjedinë.

Krimet e Sistemit Shëndetësor: Martini u vra nga protokolle absurde që e dërguan në spitalin më të largët kur QSUT ishte vetëm 3 minuta larg. Ai u vra sepse në Spitalin e Traumës mungonin kardiokirurgët dhe pajisjet bazë si zemër-mushkëri për të riparuar zemrën e tij.

Propaganda në vend të Sigurisë: Qeveria u mjaftua me “reforma kozmetike” për opinionin publik, ndërkohë që siguria në shkolla mbetet në zero dhe bashkëpunimi me familjet është inekzistent.

Mjaft me manipulime! Mbyllja e një aplikacioni nuk e kthen mbrapsht realitetin dhe as nuk shpëton jetë. Martini, Eraldi ne Maliq dhe Erjoni në Durrës nuk u vranë nga rrjetet sociale; ata u vranë nga mungesa e sigurisë, nga papërgjegjshmëria institucionale dhe nga dështimi total i shtetit që duhet t’i mbronte.

Ne nuk do të heshtim!

Kërkojmë DREJTËSI PËR MARTININ dhe për çdo fëmijë tjetër që ra viktimë e këtij sistemi të kalbur. Nuk do të lejojmë që emri i djalit tonë, një futbollist me ëndrra dhe një shpirt i pastër, të përdoret më si mburojë për dështimet tuaja.

Zëri ynë bashkohet me çdo familje që sot derdh lot. Kërkojmë veprime, jo fjalë! Kërkojmë siguri, jo censurë!

LEXO EDHE: Vendimi për TikTok, reagon Rama: Të ishte për Gjykatën Kushtetuese, s’do ishte mbyllur fare…

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›