Vendoset sinjalistika ujore në plazhin e Gjipesë, Tavo: Rritje e sigurisë për pushuesit

TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Me nisjen e sezonit turistik veror bashkia e Himarës vijon punën me marrjen e masave për rritjen e sigurisë në plazhe dhe garantimin e një mjedisi të sigurt për pushuesit.
Kryetari i bashkisë së Himarës Vangjel Tavo tha sot për ATSH-në se “ditët e fundit kemi vendosur sinjalistikën e sigurisë në det edhe në plazhin e Gjipesë, duke përcaktuar qartë zonat e sigurta për larje dhe kufijtë ku nuk duhet të futen mjetet ujore”.
Tavo tha se “respektimi i rregullave të sigurisë në plazhe është një nga prioritetet kryesore gjatë sezonit veror, me qëllim mbrojtjen e jetës dhe garantimin e qetësisë për pushuesit”.
“Kordoni i sigurisë përcakton zonën ku mjetet ujore, si motorët e ujit, skafet etj., nuk duhet të futen. Mbajtja e distancës së sigurisë është e detyrueshme për të gjithë”, tha Tavo.
Kryebashkiaku Tavo tha se është kërkuar nga autoritetet policore që të ketë zero tolerancë ndaj kujtdo që cenon kushtet e sigurisë në plazhe.
Gjithashtu Tavo i bën apel qytetarëve të raportojnë pranë Policisë së Shtetit ose Policisë Bashkiake çdo rast kur vërejnë mjete, që lundrojnë apo kryejnë manovra brenda ose pranë zonës së sigurisë.
“Siguria e qytetarëve dhe e turistëve që zgjedhin bregdetin e Himarës është në fokusin tonë. Vendosja e sinjalistikës në det ndihmon në ndarjen e qartë të zonave të larjes nga hapësirat ku lejohen mjetet lundruese dhe kërkon bashkëpunimin e të gjithëve për respektimin e rregullave”, deklaroi Tavo.
Gjatë gjithë sezonit veror bashkia e Himarës do të vijojë punën për monitorimin e zonave bregdetare me fokus garantimin e sigurisë së pushuesve, respektimin e hapësirave të përcaktuara në det dhe krijimin e kushteve sa më të mira për një sezon turistik të qetë dhe të sigurt./k.s/j.p/r.e/