E Diel, 1 Nëntor 2026

Vengu: Gati kompania e përbashkët me Fincantieri për prodhimin e anijeve luftarake, miratohet së shpejti në qeveri

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu tha sot se është mbyllur negociata me Ficantierin për prodhimin e anijeve luftarake dhe marrëveshja do t’i paraqitet qeverisë në ditët në vijim.

Gjatë një konference për mediat, ministri Vengu u shpreh se “është përmbyllur negociata paraprake me “Ficantierin”, në ditët në vijim do të miratohet në qeveri dhe autorizimi ynë për të themeluar kompaninë e përbashkët me Ficantierin për prodhimin e anijeve në Pashaliman.

“Një përpjekje domethënëse, mbi 1 vit e gjysëm që punojmë në këtë drejtim dhe një arritje qoftë Forcës Detare Shqiptare, qoftë edhe ekipit të KAYO-s, që nën drejtimin e zv/ministres që kanë çuar përpara këtë negociatë”, u shpreh Vengu.

Më 14 nëntor të vitit 2025, gjatë mbledhjes ndërqeveritare Itali-Shqipëri e zhvilluar në Romë u nënshkrua marrëveshja mes  Pierroberto Folgiero, drejtorit ekzekutiv dhe menaxherit të përgjithshëm të “Fincantieri”-t, dhe Ardi Veliut, drejtor ekzekutiv i KAYO.

Sipas faqes së industrisë italiane, marrëveshja parashikon krijimin e një bashkëpunimi që do të operojë si kontraktues kryesor për kontratat e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së anijeve për tregun shqiptar.

Për projektet e destinuara jashtë vendit, bashkëpunimi mund të realizojë njësitë deri në 80 metra gjatësi dhe 800 tonë ngarkesë.

Në këtë rast, “Fincantieri” do të marrë rolin e kontraktuesit kryesor, duke i besuar bashkëpunimit ndërtimin e anijeve.

Sipas partneritetit, KAYO do të vendosë në dispozicion kantierin detar të Pashalimanit në Vlorë dhe do të investojë në modernizimin e infrastrukturës së tij, ndërsa “Fincantieri” do të mbështesë modernizimin e procesit prodhues, duke ofruar ekspertizë operative, trajnime dhe “knoë-hoë” inxhinierik. Po ashtu, do të sigurojë paketa materialesh, duke konsoliduar kështu rolin e tij si partneri kryesor teknologjik.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›