E Diel, 1 Nëntor 2026

Spiropali pritet nga Osmani: BE të vendosë pa vonesë dhënien e statusit kandidat për Kosovën

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali u prit sot në Prishtinë nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një takim ku u theksua mbështetja e Shqipërisë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe avancimin e saj në proceset integruese euroatlantike.

Gjatë takimit, Spiropali vlerësoi angazhimin e presidentes Osmani në forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me komunitetin ndërkombëtar, në veçanti me partnerët strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Ministrja rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për integrimin euroatlantik të Kosovës, duke theksuar se, pas vendimit për heqjen e masave kufizuese, është momenti që Bashkimi Evropian të vendosë pa vonesë për dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën.

Spiropali nënvizoi se, Shqipëria do të vijojë angazhimin aktiv diplomatik në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si dhe në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, duke e konsideruar këtë proces me rëndësi strategjike për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

1 nga 2

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›