E Martë, 3 Nëntor 2026

Vengu: Investimi në kapacitete njerëzore, prioritet i Ministrisë së Mbrojtjes

TIRANË, 19 maj /ATSH/ Investimi në kapacitetet njerëzore është prioritet i Ministrisë së Mbrojtjes, bazuar në objektivin për forcimin e sigurisë kombëtare.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri të ditur sot se, pjesëmarrja e Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike (NJUSK) në stërvitjen ndërkombëtare “Cyber Yankee 2025”, një nga më të rëndësishmet në nivelin taktik për mbrojtjen e infrastrukturës kritike në Shtetet e Bashkuara dhe që bashkoi mbi 300 ekspertë të fushës nga forcat e armatosura amerikane, agjenci federale dhe shtetërore, partnerë ndërkombëtarë dhe sektori privat, është një nga aktivitetet më të rëndësishme në këtë fushë me fokus në forcimin e kapaciteteve të Shqipërisë.

Vengu theksoi në një postim në rrjetet sociale se, “ky angazhim konfirmon rolin tonë gjithnjë e më aktiv në arkitekturën globale të sigurisë kibernetike”.

“Krijimi dhe fuqizimi i Njësisë së Sigurisë Kibernetike, angazhimi në partneritete ndërkombëtare dhe përfshirja në stërvitje të avancuara janë pjesë e një vizioni të qartë për ndërtimin e një force të armatosur të përgatitur për sfidat e së nesërmes”, nënvizoi Vengu.

Ministri shtoi se, “përballë rritjes së kërcënimeve hibride dhe kibernetike, Shqipëria vijon të ndërtojë një qasje të koordinuar dhe moderne për mbrojtjen e sovranitetit në hapësirën digjitale – në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë strategjikë”. /j.p/

1 nga 7

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›