Vengu: Ndërhyrje nga ajri për shuarjen e zjarreve në Dibër, shpëtohet bariu në Gurë-Lurë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes ka angazhuar forca shtesë në aksionet për shuarjen e zjarreve në Dibër.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zhvilloi sot një takim në Prefekturën e qarkut Dibër për të folur mbi situatën e zjarreve.
Vengu theksoi se ndërhyrja nga ajri, nga forcat shqiptare dhe ato italiane, ka mundësuar uljen e intensitetit të vatrave, veçanërisht në Lurë dhe në zonën e Zall-Gjoçajt.
“Fatmirësisht nuk ka rrezik për zonat e banuara, por jemi në terren për të ndjekur hap pas hapi çdo situatë”, u shpreh ministri Vengu.
Vengu bëri të ditur se gjatë pasdites, ndërhyrja e shpejtë e Forcave të Armatosura dhe atyre të bashkisë mundësoi lokalizimin dhe shpëtimin e një bariu dhe bagëtive që u rrezikuan nga përhapja e zjarrit në Gurë-Lurë.
Ministri falenderoi shërbimet Zjarrfikëse, trupën e emergjencave civile dhe Forcat e Armatosura që mbeten në front të parë.
“Rritja e temperaturave, kërkon monitorim të shtuar dhe alertim të menjëhershëm, veçanërisht në zonat malore dhe pyjore të ekspozuara”, u shpreh ai.
/m.m/r.e/