Vengu: Po monitorojmë situatën në Vjosë, të gjitha strukturat në gatishmëri

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Niveli i lumit Vjosë në Novoselë të Vlorës ka kaluar mbi 8 metra, ndërsa deri tani janë evakuuar 13 familje pranë urës së Mifolit dhe në Novoselë.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, prefektja e qarkut Vlorë, Evis Allushi si dhe kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako ishin sot në terren për të parë nga afër situatën dhe për të koordinuar masat në ndihmë të banorëve.
Ministri Vengu bëri të ditur se Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit dhe ekipet e bashkisë dhe të emergjencave civile po monitorojnë nga afër situatën në Vjosë, pranë urës së Mifolit.
Po ashtu, Vengu siguroi se të gjitha strukturat janë në gatishmëri maksimale për të garantuar sigurinë e banorëve.
Qarku i Vlorës rezulton një nga më të prekurit nga moti i keq i ditëve të fundit, që ka shkaktuar problematika në qarqe të ndryshme të vendit.
Si pasojë e reshjeve intensive, gjatë orëve të fundit ka pasur rritje të niveleve të lumenjve në disa qarqe të vendit, gjë që ka krijuar problematika serioze, kryesisht përmbytje të tokave bujqësore dhe banesave, rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore dhe bllokime rrugësh.
/m.m/r.e/a.f/