E Diel, 1 Nëntor 2026

Vengu i kalon stafetën Nufit: Shqipëria është në duar të sigurta. Institucioni është i fortë dhe siguria mbetet prioritet

Pirro Vengu i ka kaluar stafetën ministrit të ri të Mbrojtjes, Ermal Nufi, duke theksuar se largimi i tij nga kjo detyrë nuk përbën ndarje nga misioni i sigurisë kombëtare.

Gjatë fjalës së tij, Vengu theksoi se largimi i tij nuk përbën një ndarje nga detyra e sigurisë kombëtare, por një ndryshim në mënyrën se si shërbehet vendi.

Ai u ndal tek përvoja e punës në këtë ministri duke forcuar kapacitetet, të ndezin motorët e industrisë ushtarake dhe të tregojnë se Shqipëria është një aleate e besueshme.

“Pata privilegjin të punoj me njerëz që nuk flasin vetëm për atdheun, por e mbrojnë atë në paqe, në kriza, emergjenca dhe në solidaritet me aleatët. Së bashku kemi forcuar kapacitetet tona, ndërtuar aftësinë reaguese, ndezur motorët e industrisë ushtarake dhe dëshmuar se Shqipëria është një aleate e përkushtuar dhe e ndërgjegjshme. Kalimi im në kohë të plotë si deputet i Vlorës nuk e përjetoj si largim nga misioni i sigurisë kombëtare; siguria mbrohet si në terren ashtu edhe në tryeza diplomatike. Pas çdo uniforme ka një histori dhe pas çdo plage një qenie njerëzore që meriton të dëgjohet. Kam fatin t’ia dorëzoj stafetën një miku dhe bashkatdhetari të mirë. Institucioni është i fortë, Shqipëria është në duar të sigurta dhe misioni vazhdon”, tha Vengu.

Nga ana e tij, ministri i ri Ermal Nufi falenderoi pjesëtarët e Forcave të Armatosura dhe nënvizoi se çdo vendim, çdo përpjekje dhe çdo orë shërbimi ka një rëndësi të jashtëzakonshme për sigurinë e vendit.

“Strategjia ndërtohet çdo ditë nga burrat dhe gratë që veshin uniformën, nga komandantët që marrin vendime të vështira. Sot dua të shpreh respektin tim më të thellë për çdo pjesëtar të Forcave të Armatosura. Ju mbroni territorin e vendit, garantoni sigurinë e qytetarëve dhe përfaqësoni Shqipërinë me nder. Shërbimi ndaj atdheut kërkon sakrifica, por është një privilegj që të bën krenar gjithmonë.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›