E Martë, 3 Nëntor 2026

Vengu inspekton laboratorin e ri ushtarak në Spitalin e Traumës: Përfitojnë rreth 75 mijë pacientë

TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, shoqëruar edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjenerallejtënant Arben Kingji inspektoi laboratorin ushtarak në Spitalin e Traumës, një investim i rëndësishëm shëndetësor për efektivët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Investimi përfundoi në mesin e vitit 2024 dhe sot laboratori ushtarak i Spitalit të Traumës ofron shërbime për mbi 75 mijë persona që përfitojnë nga Status ii Ushtarakut, sipas ligjit nr. 9210 “Për statusin e ushtarakut”. Ky shërbim shëndetësor adreson nevojat e ushtarakëve të shërbimit aktiv dhe familjarëve të tyre, ushtarakëve në rezervë, kadetëve, studentëve, rekrutëve, si dhe trupave të atasheve ushtarake të huaja dhe efektivëve pjesëmarrës në stërvitje dhe trajnime në Shqipëri.

Ministra Vengu pa nga afër të gjitha investimet e bëra, ndërsa theksoi rëndësinë e këtij laboratori si një shtyllë të domosdoshme për shëndetin dhe gatishmërinë e Forcave tona të Armatosura, duke garantuar që ushtarakët të kenë mbështetje profesionale dhe moderne mjekësore në çdo kohë.

“Në bazë të ligjit të gjitha asetet si ky laborator i ri që vihet në funksion, sot janë të destinuara t’i ofrojnë shërbime jo vetëm ushtarakëve aktivë, familjeve të tyre, por edhe ushtarakëve në rezervë, ushtarakëve në lirim, rekrutëve të rinj dhe për pasojë janë një grup prej 75 mijë pacientësh që mund të përfitojnë nga këto shërbime duke ulur pak edhe presioni në një farë mënyre në shërbimin shëndetësor publik”, tha Vengu.

“Spitali Ushtarak është prej një dekade në fakt një strukturë civile ushtarake. Në kushtet kur jemi duke investuar fuqimisht në mbrojtje e siguri, buxhetet e mbrojtjes janë në rritje çdo vit. Vizioni dhe misioni që na ka dhënë qeveria shqiptare është që të mund të gjenerojmë investime që janë në dobi dhe të ushtarakëve dhe civilëve. Ky është një shembull perfekt dhe duhet të vijojmë të kemi gjithë rikonstruksionin e korpusit kryesor të spitalit, investimi po vijon dhe duhet të ecim në këtë rrugë. Sa herë investojmë në kapacitete ushtarake të ketë edhe një dobi civile”, tha Vengu.

Laboratori kryen 45 analiza kryesore nga spektri klinik, biokimik dhe bakterologjik, të rëndësishme për diagnostikimin dhe kontrollin e shëndetit të ushtarakëve, me teknologji bashkëkohore të njëjtë me atë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Në stafin e laboratorit punojnë 13 persona, specialistë civilë dhe ushtarakë.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›