Vera shton problematikat shëndetësore, Poliklinika e Shkodrës deri në 400 vizita në ditë, kryesisht pacientë me probleme të zemrës

Nisja e stinës së verës dhe rritja e temperaturave kanë sjellë një nevojë të shtuar për shërbim shëndetësor në poliklinikën e qytetit, por edhe në urgjencën e spitalit. Drejtori i poliklinikës, Egit Lezha, bën me dije se aktualisht institucioni përballon një fluks prej 350–400 pacientësh në ditë.
“Fluksi është shtuar dhe mund të ketë 350-400 vizita në ditë. Në poliklinikën e Shkodrës funksionojnë 21 specialitete”, u shpreh Egit Lezha, Drejtor i Poliklinikës.
Qëllimi i poliklinikës është evitimi i radhëve në spital, ndaj 22 specialitetet që ajo ofron po përballojnë një numër të shtuar vizitash, kryesisht raste që nuk janë urgjenca të momentit.
“Mendohet që të trajtojë sëmundje jo urgjente dhe të filtrojë të sëmurët në mënyre që edhe spitali të mos ngarkohet”, tha ai.
Sipas të dhënave, problemet kardiake, neurologjike dhe ato të endokrinologjisë kanë pasur fluks më të shtuar gjatë javës së parë të muajit qershor.
“Problemet kardiologjike janë ato më të shpeshtat, dhe neurologjike”, tha mjeku.
Mjekët apelojnë për kujdes të shtuar gjatë ditëve të nxehta, duke këshilluar shmangien e ekspozimit në diell gjatë orëve të pikut dhe kontrollin periodik, në mënyrë që të parandalohet përkeqësimi i gjendjes shëndetësore.
Gazetar: M Gjoni
/rtsh.al/