Vera vjen bashkë me zjarret, deri më tani janë regjistruar mbi 250 vatra, thuajse të gjitha të qëllimshme

Gjatë muajit maj e deri në mesin e qershorit në vend janë regjistruar mbi 250 vatra zjarri, disa prej të cilave ishin të rrezikshme, por fatmirësisht janë shuar dhe nuk kanë dalë jashtë kontrollit.
Disa persona janë shoqëruar për zjarret, ndërkohë që autoritetet vërejnë se të gjitha rastet kanë qenë të qëllimshme.
“Ne kemi patur rreth 250 vatra zjarri, ku dy, tre vatra kanë qenë problematike. Ajo në zonën e Darëzezës, e cila u menaxhua nga strukturat vendore të bashkisë dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, bëri të mundur ndërhyrjen me helikopter në mënyrë që mos të lejohej zjarri të avanconte“, tha Arben Cara, Drejtoria e Mbrojtjes nga zjarri.
Këtë verë pritet të kemi zjarre të përmasave të mëdha për shkak të temperaturave të larta që parashikohen të mbizotërojnë në vend.
“Gjithmonë piku i zjarreve është në mesin e muajit korrik dhe në muajin gusht. Jo i parëndësishëm është edhe shtatori, pasi sipas meteorologëve këtë vit kemi një verë shumë të nxehtë, ndryshe nga verat e tjera. Stina e nxehtë patjetër do të bëjë që zjarret të jenë në përmasa më të mëdha.”
Njësitë vendore kanë marrë masa për menaxhimin e situatës, në mënyrë që vatrat e identifikuara menjëherë të menaxhohen, pa pritur që situata të agravohet.
“Strukturat vendore kanë përgatitur planet e veprimit, duke bërë takime me njësitë vendore, duke ngritur struktura vullnetare vrojtuese, në mënyrë që të kemi një reagim të hershëm dhe të shpejtë, që çdo vatër zjarri të kapet në momentet e para dhe dëmet të jenë sa më minimale.”
Në të gjithë vendin janë mbi 1300 forca zjarrfikëse në gadishmëri për sezonin veror. Ndërkohë, në rastet më të vështira, ndërhyrja do të bëhet nga ajri.
/vizionplus.tv