“Vetëvendosje synon të qeverisë e vetme”, Haxhiu tregon për ecurinë e fushatës së LVV në zgjedhjet e parakohshme

Lëvizja Vetëvendosje synon të qeverisë e vetme pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Në një intervistë për agjencinë Kosovapress, anëtarja e kryesisë së kësaj force, Albulena Haxhiu, koalicionet paszgjedhore me partitë dikur në opozitë i cilësoi të vështira, ndërsa përjashtoi kategorikisht mundësinë e një koalicioni paszgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës
“Ende pa u përfunduar procesi zgjedhor këta thonë se nuk do të bëjnë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Është e qartë se këta nuk e duan Vetëvendosjen në qeverisje dhe nuk e duan Albin Kurtin kryeministër. Fokusi ynë në këtë moment duhet të vendoset te mbështetja nga ana e qytetarëve që ne mos të varemi nga këto subjekte. Kjo nuk do të thotë se edhe pse kemi shumicën, dikush nëse ka interes mos të na bashkohet… Me PDK-në që kontrollohet nga Sami Lushtaku, jo. Unë e dëgjova me vëmendje kryetarin e sapozgjedhur të PDK-së, Bedri Hamzën, ku asnjë fjalë nuk e tha për Sami Lushtakun, përkundrazi e lartësoi. Është e qartë se aty më shumë pyetet Sami Lushtaku sesa Bedri Hamza”, shton ajo.
E pyetur nëse vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje kur të përfundojë mandati i presidentes Osmani në mars të vitit 2026, Haxhiu thotë se një gjë e tillë është e mundur.
“Qëndrimet për presidenten i kanë dhënë. Neve na duhet të kemi 80 vota në kuti, pasi siç e dini është votimi i fshehtë. Nëse ne nuk arritëm t’i kemi 61 për kryeministrin, është pak e vështirë e besueshme se mund të japim mbështetje për presidenten nëse do të kandidohet ose ndonjë figurë tjetër. Ne nuk jemi të interesuar që Kosova të shkojë kaq shpesh në zgjedhje. Por nëse s’ka konsensus për emrin e presidentit, Kushtetuta na obligon që të shkojmë në zgjedhje”, shton ajo.
NË datën 28 dhjetor në Kosovë mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pasi legjislatura e nëntë e kuvendit e dalë nga zgjedhjet e nëntë shkurtit u shpërbë pas dështimit të dy tentativave të Lëvizjes Vetëvendosje, që në nëntë shkurt doli forcë e parë, për të marrë 61 votat e nevojshme për qeverinë e re të vendit.
/rtsh.al/