Vetëvritet 16- vjeçari, nuk dihet motivi
Në orët e para të mëngjesit të sotëm është gjetur i vetëvarur një 16- vjeçar nga fshati Zgjup i komuës Sulte të Gramshit. I mituri me inicialet A.D mësohet se i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur me litar. Deri tani policia nuk jep asnjë motiv për këtë vetëvrasje, por mësohet se për në fshatin e largët të Zgjupit është nisur një grup hetimor i cili pritet të sqarojë rrethanat e kësaj vetëvrasje.
Alarmi i Psikologëve
Mungesë e vëmendjes nga prindërit, zhgënjime në lidhjet sentimentale apo ndjenja e inferioritetit e për pasojë tentativa serioze për vetëvrasje. Këto janë disa nga shkaqet që dërgojnë adoleshentët në këto vendime ekstreme. Madje ky fenomen është bërë aq i shpeshtë, sa psikologët e shkollave të mesme i ndeshin ato pothuajse çdo ditë. Këtë e pohojnë për gazetën vetë psikologët të cilët theksojnë se vetëvrasjet e adoleshentëve janë shumë prezente pavarsisht lënies së tyre në harresë. Nga ana tjetër, edhe të dhënat e Qendrës së Toksikologjisë pranë Spitalit Ushtarak raportojnë shifra tronditëse sa i takon vetëhelmimeve, ku pjesën më të madhe e zënë pikërisht adoleshentët. Por si e komentojnë psikologët këtë situatë dhe si mendojnë adoleshtët për për këto vendime ekstreme që mund të marrin bashkëmoshatarët e tyre.
Vetëvrasjet
Tentativa serioze për t’i dhënë fund jetës në mënyra nga më të ndryshmet. Pirje ilaçesh me sasi të mëdha, prerje damarësh apo edhe tentativë për t’u hedhur nga lartësi për shkak të depresionit që kanë kaluar. Sipas psikologes së gjimnazit “Sami Frashëri”, Valbona Treska, në këtë shollë kanë kaluar dhjetëra raste ku nxënësit kanë tentuar vetëvrasjen. “Kam patur raste që adoleshentët kanë tentuar 3 deri në 4 herë për të kryer vetvrasje. Kjo moshë është shumë problematike pasi ata kanë luhatje të tepërta emocionale dhe vendime të tilla iu shkojnë shpesh në mendje”,- pohon ajo. Ndërkohë edhe psikologia e gjimnazit “Aleks Buda”, Oxhena Hatellari, thotë se këtë problem madhor e ndesh shpesh tek adoleshentët që shkojnë të konsultohen me të. “Dëgjoj shpesh të më thonë se nuk ndohen mirë, jeta e tyre është kot dhe për këtë do të vrasin veten”,- thotë Oxhena. Ndërsa psikologia e shkollës së mesme profesinale “Elektronikë”, Ketrina Riza shpjegon raste konkrete me të cilat është ndeshur në tentativa vetëvrasjeje. “Kur isha psikologe tek gjimnazi “Myslym Keta” një adoleshente tentoi të vriste veten në sy të shokëve të klasës së saj. Arsyeja ishte ndarja e saj nga i dashuri”, - pohon ajo. Sipas saj puna me adoleshentët që marrin këto vendime është shumë e vështirë pasi kanë mbingarkesë emocionale dhe si psikolog duhet të tregohen shumë profesional me raste të tilla. Raste konkrete tentativash fatale thotë edhe psikologia Valbona Treska. “Para pak ditësh ndesha një vajzë që tentoi të vetëhelmohej duke gëlltitur 70 kokrra paracetamol. Vajza jetonte me prindërit biologjikë, por edhe me dy motrat nga nëna me të cilat kishte shumë konflikte. Problemi i inferioritetit që ndiente ajo në familje, si edhe kontrasti sa i takon pamjes fizike, motrat nga nëna ishin disa nga shkaqet që ajo mori këtë vendim”,- shpjegon Treska.
Shkaqet.
Të gjithë psikologët rendisin të njëjtat shkaqe që adoleshentët i shtyjnë në vendime ekstreme për jetën. “Mund të them se në 80 për qind të rasteve për vetvrasje adoleshentët i kanë në problemet e tyre familjare. Ata kanë prindër të divorcuar, prindër që konfliktohen shpesh dhe ashpër në familje. Pra janë familje të pakonsoliduara dhe nuk u ofrojnë fëmijëve të tyre ngrohtësi”,-pohon psikologia Valbona Treska. Ndërkohë kolege të saj, Ketrina Riza dhe Oxhena Hatellari, përveç këtij shkaku rendisin edhe zhgëmjimet në lidhjet sentimentale të cilat i përjetojnë mjaft rëndë. Problem tepër i theksuar është edhe ndjenja e inferioritetit nga bashkëmoshatarët e tyre dhe këtë e përjetojnë shumë keq. “Fakti që nuk janë pjesë e grupit të të preferuarve të klasës i bën ata të ndihen keq. Dëshira e adoleshentëve është të jenë në qendër të vëmendjes dhe fakti që nuk janë e shohin si një të metë, duke bërë që të distancohen nga moshatët, por edhe nga vetja e tyre”,- shpjegon psikologia, Ketrina Riza.
Psikologët: Prindër tregoni vëmendje ndaj adoleshentëve
Prindër, kushtojuni vëmendje fëmijëve pasi vendimet e tyre mund t’ju shkaktojë plagë që do t’i vuani gjithë jetën. Ky është sugjerimi kryesor që japin të gjitha psikologet e shkollave të mesme të cilat problemin kryesor e shohin tek familja. “Prindërit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj çdo shfaqjeje emocionale që tregojnë fëmijët e tyre. Ata duhet t’i pyesin kur t’i shohin të mërzitur, por edhe kur janë të qeshur dhe të mos u shpëtojë asnjë detaji,”-pohon psikologia Valbona Treska. Sipas saj, në përgjithësi adoleshentët janë të qetë kur kanë një familje të stabilizuar dhe pa probleme. Krejt e kundërta ndodh në familjet që nuk kanë një stabilitet dhe nuk u ofrojnë fëmijëve vëmendje dhe ngrohtësi. Ajo shpjegon se fakti që adoleshentët bëjnë tentativa për vetëvrasje, por tërhiqen në momentin kur janë afër vdekjes, tregon se ata e bëjnë për të tërhequr vëmendjen e atyre që i rrethon e sidomos të prindërve. Sipas saj problemet që kanë prindërit nuk kanë pse t’ua bëjnë prezent fëmijëve të tyre. “Para disa ditësh më erdhi një nënë e një nxënëseje dhe në sy të vajzës thoshte se prej vitesh ajo nuk shkonte me bashkëshortin. Ky është një akt shumë i gabuar, pasi fëmijët nuk kanë pse t’i dinë problemet e prindërve të tyre pasi ata fillojnë dhe i përjetojnë”, pohon Valbona Treska. Ndërsa kolegia e saj, Ketrina Riza, thekson se duhet treguar shumë kujdes edhe ndaj adoleshentëve që ndihen inferior ndaj bashkëmoshatarëve të tyre. Në këtë mënyrë ata fillojnë të largohen nga shoqëria dhe të vetëhelmohen. “Unë ua kam thënë edhe mësuesve se problemi duhet parë tek fëmijët që nuk janë shumë të zhurmshëm apo tek fëmijët aktivë. Problemi janë pikërisht ata që rrinë të heshtur dhe të vetmuar. Tek ata diçka nuk shkon ndaj duhen ndihmuar”,- pohon Ketrina Riza. e.bardhi
Toksikologët: Shumica e të vetëhelmuarve, adoleshentë
Tragjike, por e vërtetë. Pothuajse çdo ditë paraqiten më shumë se 5 raste të vetëhelmuarish me lëndë të ndryshme toksike në urgjencën e pavijonit të Toksikologjisë pranë Spitalit Ushtarak në Tiranë. Sipas mjekëve të këtij shërbimi, fatkeqësisht shumica e atyre që tentojnë t’i japin fund jetës me anë të vetëhelmimit janë adoleshentë. “Është për të ardhur keq, por vitet e fundit fenomeni i vetëhelmimit po vjen gjithnjë në rritje- theksojnë toksikologët. E ndërsa alarmi për vetëhelmimet është i madh, përpjekjet maksimale të mjekëve të Spitalit Ushtarak për t’i shpëtuar, jo gjithmonë rezulton me sukses. “Janë adoleshentët dhe saktësisht grupmosha 15 deri 18-vjeçarët që përdorin substanca nga më të ndryshmet për ti dhënë fund jetës”,- theksojnë toksikologët.
Adoleshentët: Depresivët inferior
Ndihen inferior apo si i thonë të pavlerë krahasuar me të tjerët. Kështu e komentojnë disa nga adoleshentët vendimet ekstreme që marrin moshatarët e tyre. Kështu nxënësi i shkollës elektronike, Mariol Aliaj, pohon se diferncat mes bashkëmoshatarëve janë të mëdha në shuëmë aspekte, ndaj dhe disa prejt tyre mund të kalojnë në depresion. “Nuk janë në grupin e VIP-ave, siç e quajnë veten disa nga adoleshentët të cilët ndihen në qendër të vëmendjes. Ata janë më poshtë, madje inferior”, thotë moshatarja e tij, Hersi Shima. Por ata theksojnë se fakti që nuk janë në grupin e të preferuarve të shkollës nuk duhet përjetuar aq rëndë. “Mendoj se janë vendime të marra që marrin moshatarët tanë për vetëvrasje. Fundja jo të gjithë janë njësoj, ndaj disa do të jenë në qendër të vëmendjes”,- thotë Ejona Çeliku, e cila me bukurinë e saj mbahet nga moshatarët si më tërheqsja dhe preferuara e shkollës “Elektonike”.