Vëzhgim/ Motoçikletat në korsitë e biçikletave, rrisin rrezikun për aksidente

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Qarkullimi i motoçikletave në korsitë e dedikuara për biçikletat mbetet një shqetësim për sigurinë rrugore në qytet.
Lëvizja e tyre në këto korsi rrit rrezikun jo vetëm për çiklistët, por edhe për këmbësorët, duke cenuar funksionin për të cilin është ndërtuar kjo infrastrukturë.
Siç dhe shihet nga pamjet e vëzhgimit të ATSH-së, në korsitë e dedikuara për përdoruesit e biçikletave në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” si dhe të unazës qarkullojnë në shkelje të ligjit edhe mjete të tjera, kryesisht motoçikleta, të cilat jo vetëm pengojnë qarkullimin e sigurt, por rrisin edhe rrezikun e aksidenteve rrugore, veçanërisht në oraret me fluks të lartë qarkullimi.
Sipas rregullave të qarkullimit rrugor, korsitë e biçikletave janë të rezervuara për lëvizjen e biçikletave dhe mjeteve të ngjashme, ndërsa përdorimi i tyre nga motoçikletat përbën shkelje.
Ndërsa përdorimi i biçikletës po promovohet gjithnjë e më shumë si një alternativë e qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin, garantimi i sigurisë së çiklistëve duket se mbetet një sfidë që kërkon ndërgjegjësim nga të gjithë.
/k.s/j.p/r.e/