Vëzhgimi në Tiranë – Makina, motorë e këmbësorë vështirësojnë qarkullimin në korsitë e dedikuara për biçikleta

TIRANË, 28 gusht /ATSH/ Përdorimi i biçikletës inkurajohet si mjet ekologjik i transportit në qytete si dhe mjaft efikas për të shmangur vonesat në trafik. Por, nga një vëzhgim në korsitë e dedikuara të biçikletave në kryeqytet, pedalimi ka sfida të përditshme për dashamirësit e dyrrotakëve.
Në korsitë e biçikletave, jo në pak raste është e pamundur që të kalosh për shkak të bllokimit nga makina që zënë rrugën në kundërshtim me rregullat e qarkullimit rrugor.
Nga një vëzhgim të kryer nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, zënia e korsive të biçikletave jo vetëm që nuk lejon përdorimin e tyre, por vë në rrezik edhe jetën e qytetarëve që i përdorin ato.
Gjithashtu drejtues motorësh, kryesisht ata të shërbimit të shpërndarjes në adresë, përdorin korsitë e biçikletave në shkelje me Kodin Rrugor si një rrugë alternative për të shmangur trafikun në kryeqytet.
Nga vëzhgimi i ATSH-së edhe këmbësorët shpeshherë bëhen shkak për pengimin e korsive të biçikletave, duke mos lënë çiklistët të pedalojnë të qetë.
Vitet e fundit është vënë re edhe një shtim i përdorimit të monopatinave, të cilat gjithashtu qarkullojnë nëpër korsitë e biçikletave.
Në ndryshimet e fundit të bëra në Kodin Rrugor monopatinat hynë në kategorinë e biçikletave, e për pasojë lejohet kalimi i tyre në korsitë e dedikuara.
“Mjete me pedale konsiderohen edhe ato mjete të pajisura me motor elektrik, me fuqi deri në 0,25 kw, furnizimi me energji i të cilave zvogëlohet në mënyrë progresive dhe përfundimisht ndërpritet kur arrihet shpejtësia 25 km/h ose kur ndalohet pedalimi”, thuhet në Kodin Rrugor.
Zënia e karrexhatës sipas nenit 159 të Kodit Rrugor ndëshkohet me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.
Pavarësisht rasteve të pengimit të korsive, në kryeqytet vihet re një numër në rritje i përdorimit të biçikletave vitet e fundit si dhe korsive të posaçme për qarkullimin e tyre, siç edhe e tregojnë fotot e shkrepura nga fotografi i Agjencisë Telegrafike Shqiptare.
Vëzhgim në Tiranë për korsitë e biçikletave, foto: ATSH 1 nga 16 1 nga 5/m.q/j.p/r.e/