PD mbledh sot Kuvendin Kombëtar, votohen ndryshimet statutore dhe anëtarët e rinj të Këshillit

TIRANË, 30 maj/ATSH/ Partia Demokratike mbledh sot Kuvendin Kombëtar, ku pritet të votohen ndryshimet statutore dhe anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar.
Fillimisht pritet që delegatët të votojnë për komisionin e drejtimit të punimeve të Kuvendit dhe Sekretariatin Teknik. Komisioni i drejtimit të punimeve të Kuvendit do të përbëhet nga Ivi Kaso, kryetar; Floriana Garo; Bardh Spahia; Eliona Shkreli; Nada Meçorpaja.
Përveç fjalës së kreut të PD-së, Sali Berisha, gjatë punimeve të Kuvendit, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, pritet të paraqesë propozimet për ndryshimet statutore, të cilat do t’i nënshtrohen diskutimit dhe miratimit nga delegatët.
Në rendin e ditës është parashikuar edhe miratimi i përbërjes së re të Këshillit Kombëtar, një strukturë kyçe në organizimin dhe funksionimin e partisë.
Kuvendi Kombëtar pritet të përcaktojë edhe drejtimet politike dhe organizative që Partia Demokratike do të ndjekë në periudhën e ardhshme.Sipas medieve në Kuvendin Kombëtar të PD-së do të ketë edhe të ftuar ndërkombëtarë të cilët do të mbajnë edhe fjalë, si dhe do të ketë disa videomesazhe.
Mbledhja e Kuvendit Kombëtar vjen menjëherë pas konfirmimit me 37 mijë e 341 vota, të Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike.
/m.m/a.f/