“Vijojmë kudo, pa pushim”, Rama publikon pamjet nga lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme

Lirimi i hapësirave publike të zaptuara nga ndërtimet e paligjshme po vijon në të gjithë territorin e vendit, si pjesë e një nisme kombëtare të nisur në korrik 2025.
Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale pamje nga ndërhyrjet aktuale, të cilat përfshijnë çmontimin e strukturave metalike të ngritura pa leje mbi trotuare dhe rrugë publike.
“Vijojmë kudo, pa pushim”, shkruan Rama ndërsa ndau pamje nga prishja e një godine dykatëshe e ndërtuar pa leje.
Aksioni sistematik i ‘Rilindjes Urbane 2.0‘
Kjo nismë është konceptuar si pjesë e operacionit të vazhdueshëm për rivendosjen e rendit urban. Ajo nuk është një aksion i përkohshëm, por një ndërhyrje sistematike me prioritet në gjithë vendin, me fokus të veçantë në zonat bregdetare dhe ato me rëndësi turistike.
Sipas Qeverisë, ndërhyrja në terren do të vazhdojë deri në largimin e plotë të të gjitha strukturave pa leje, si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.
Në mbështetje të këtij operacioni, autoritetet kanë vënë në dispozicion të qytetarëve portalin “Hapësiraimepublike.gov.al” për të denoncuar rastet abuzive të uzurpimit të hapësirave.
Shumë raste shkeljesh raportohen nga vetë qytetarët në portalin e dedikuar për këtë qëllim “Hapësira ime publike”, ku deri tani rezultojnë 16 638 raste të denoncuara, nga të cilat janë zgjidhur 12 686 raste, ndërsa 3 952 të tjera janë në proces shqyrtimi.
/rtsh.al/