Vijojnë punimet në Kalanë e Shkodrës, synohet përmirësimi i aksesit publik dhe turistik - ATSH -
TIRANË, 6 nëntor /ATSH/ Kalaja e Shkodrës ka hyrë në një etapë të re zhvillimi përmes projektit që synon përmirësimin e aksesit publik dhe turistik në një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në vend.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja deklaroi sot se ky është një investim i rëndësishëm për rijetëzimin dhe zhvillimin e potencialit kulturor e turistik të një prej monumenteve më të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore.
Sipas Gonxhes, punimet po vijojnë me zgjerimin dhe ndërtimin e parkimit për autobusët, rehabilitimin e shtegut të vjetër drejt kalasë, si dhe ndërhyrje të tjera për përmirësimin e infrastrukturës dhe aksesueshmërisë. Paralelisht po punohet me restaurimin e mureve të kalasë dhe muzeut.
Gonxhja tha se “projekti zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), me financim nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)”.
Kalaja e Shkodrës është një nga sitet më të rëndësishme të trashëguara nga historia. Ajo ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës e rrethuar prej ujërave të lumenjve Bunë, Drin dhe Kir. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese, të cilat zënë një sipërfaqe prej rreth 9 hektarë tokë.
Kalaja e Shkodrës është sot një destinacion i preferuar turistik ku vizitorët eksplorojnë muret historike, muzeun, natyrën dhe historinë e pasur të këtij qyteti.
/e.i/r.e/a.f/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
