Vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike, fokus te shkollat dhe siguria e nxënësve

TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Në të gjithë vendin po vijon puna për lirimin e hapësirave publike të zaptuara nga subjektet private.
Kryeministri Edi Rama publikoi sërish sot pamje nga ndërhyrjet në terren.
“Aksioni për lirimin e hapësirave publike, sot i fokusuar rreth shkollës “Ndre Mjeda” në Shkodër, me qëllim krijimin e një mjedisi më të sigurt e funksional për nxënësit dhe komunitetin”, deklaroi Rama.
Nisma është pjesë e programit “Rilindja Urbane 2.0” dhe synon rritjen e cilësisë së shërbimeve, funksionalitetit urban dhe respektimin e standardeve të mikpritjes në çdo qytet të Shqipërisë.
E nisur në muajin korrik të vitit që lamë pas, kjo nismë është konceptuar si ndërhyrje e përhershme dhe mbetet prioritet i pushtetit vendor dhe qendror.
Qeveria ka forcuar kontrollet mbi territorin dhe ka ashpërsuar masat në Kodin e ri Penal për goditjen e ndërtimeve pa leje.
Përmes portalit “Hapësira ime publike”, qytetarët kanë raportuar deri tani 18 515 raste shkeljesh. Nga këto, 14 416 janë zgjidhur, ndërsa 4099 raste janë në proces shqyrtimi.
/r.e/a.f/