E Martë, 3 Nëntor 2026

Vijon beteja me flakët në Vlorë- Dredha: Zjarri është vendosur nga një dorë njeriu!

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ka folur mbi situatën e zjarrit në fushën e mbetjeve që prej më shumë se 24 orëve vijon të ketë ende vatra të ndezura.

Në një prononcim për median, kreu i bashkisë së Vlorës, Dredha tha se , “të gjitha mjetet dhe forcat njerëzore janë në gatishmëri dhe punë, por era e fortë ka krijuar përhapjen e tymit”.

“Zjarri është vendosur nga dora e njeriut, e qëllimshme apo jo nuk mund ta themi. Por është dore njeriu pas zjarrit. Pasi me parë kemi pasur temperatura edhe më të larta dhe nuk kemi pasur situatë”, deklaroi Dredha.

Dredha ka dhënë detaje në lidhje me situatën më të fundit të krijuar në fushën e grumbullimit të mbetjeve në qytet të Vlorës.

“Prej momentit të parë, Bashkia Vlorë ka angazhuar në terren Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Zjarrefikësen (MZSH), Drejtorinë e Emergjencave Civile dhe të Infrastrukturës. Ndërhyrja ka qenë e menjëhershme dhe vazhdon të jetë pa ndërprerje për përballimin e situatës.

Informojmë gjithashtu, se na janë bashkuar me ndihmë në mjete dhe njerëz: Ministria e Mbrojtjes (2 mjete me zinxhir dhe dy kamionë vetëshkarkues), Albpetrol me dy zjarrfikës, kompania që po ndërton aeroportin me një mjet me zinxhir dhe 3 kamionë” sqaron Dredha.

Më tej ai deklaroi se, “kompani të tjera kanë kontribuar me një buldozer me zinxhir dhe 5 kamionë.Sqarojmë komunitetin se puna vazhdon pa ndërprerje deri në stabilizimin e situatës, edhe pse kushtet klimatike kanë qenë të disfavorshme për shkak të erës së madhe”.

Duke vlerësuar angazhimin e gjithë forcave që janë angazhuara për fikjen e këtij zjarri, Dredha kërkoi edhe ndihmën e organeve ligj zbatuese për të vënë para përgjegjësisë personat që shkaktojnë situata zjarresh.

Dredha ka njoftuar po ashtu se për landfillin e Sherishtes është firmosur një vendim përmes të cilit i kalon Ministrisë së Mjedisit dhe agjencisë përkatëse (AKEM) dhe për rrjedhojë lidhet një kontratë me bashkinë e Vlorës mbi përfundimin e punimeve. Kjo i jep Bashkisë së Vlorës administrimin e këtij landfilli.

Dredha u shpreh se shpreson që gjithçka të mbyllet sa më shpejt me qëllim që në fushën e mbetjeve të mos ketë situata të ngjashme me zjarrin e fundit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›