Vijon lirimi i hapësirave publike në të gjithë vendin

TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme vijon në të gjithë vendin, duke i paraprirë zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”, i cili synon të kthejë ligjshmërinë në territor, duke sjellë zhvillim për komunitetet.
Në këtë kuadër qeveria shqiptare ka ashpërsuar masat për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit dhe ndëshkimin e ndërtuesve që i shkelin ato.
“Non stop”, shkroi kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, teksa ndau sot pamje nga këto ndërhyrje.
Krahas ndërtimeve strukturat e IKMT-së dhe pushtetit lokal po punojnë edhe për pastrimin e akseve rrugore nga ndërtimet në shkelje me distancat e përcaktuara.
E konceptuar si një ndërhyrje sistematike në terren dhe jo një aksion i përkohshëm, kjo nismë, e cila ka nisur nga zbatimi në muajin korrik, po vijon me prioritet në gjithë territorin e vendit.
Për goditjen e fenomenit të ndërtimeve pa leje, në Kodin e ri Penal parashikohen ndëshkime më të ashpra.
Ndërkohë, një tjetër mekanizëm, që do të jetë në funksion të subjekteve private, do të jetë Rregullorja e re Kombëtare, ku do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojnë bizneset.
Po ashtu, në dispozicion të qytetarëve të cilët duan të denoncojnë rastet abuzive është vënë në dispozicion portali “Hapësiraimepublike.gov.al”.
Deri sot në këtë portal janë raportuar 13 546 raste, nga të cilat janë zgjidhur 9 991 raste, ndërsa 3 555 të tjera janë aktualisht në proces shqyrtimi.
/m.m/r.e/a.f/